Opinion/Aktualitet

Muzeu gjysmak i ushtrisë si vendngjarje krimi

Nga Klodian Tomorri

Tenderi sekret 6 milionë euro që Ministria e Mbrojtjes kontraktoi në fund të vitit 2019 për ndërtimin e një muzeu ushtarak është një rast flagrant, ku ligji përthyhet në funksion të interesave privatë dhe jo atyre publike.
Shqipëria nuk përmush dot detyrimet e NATO-s, në shpenzimet për mbrojtjen se buxheti nuk ka hapësirë. Por Ministria e Mbrojtjes prokuron muze ushtrie 6 milionë euro me tender sekret.

Përtej dyshimeve për qark të shkurtër, e madje edhe njohje mes Kontraktuesit publik dhe kontraktorit privat, përtej dyshimeve se në afërsi të muzeut fantazmë ka interesa familjare pasurore, këtu ka një çështje thelbësore;

A mund të prokurohet me tender sekret një objekt, i cili do të ishte pjesë e guidës zyrtare turistike të Tiranës? Pra cila është logjika e tenderit sekret për një atraksion që do të vizitohej nga mijëra njerëz në ditë? Kush ishte informacioni qe duhej te mbahej i klasifikuar ne kete rast? Kjo është pyetja e parë që duhet të shtrojnë ata, të cilët ngarkohen nga ligji për ta shtruar.

Lexo më shumë  Besimi tek institucionet politike pëson sërish rënie në Shqipëri

Në një vend normal, sot do duhej të ishte sekuestruar e gjithë praktika e prokurimit. Cilat kompani u thirrën për të shprehur interes, si u përzgjodh kompania fituese, si u negociua kontrata e kështu me radhë?

Më tej akoma, prokuroria do të duhej të verifikonte të gjitha transaksionet e realizuara gjatë kësaj kohe nga palët e lidhura, përfshirë bankat. Se rreziku që në një prokurim të këtij lloji të lëvizin para në shumë hallka, ku secila hallkë i çon gjithmonë e më afër vendimarrësit, është shumë i madh. Ndërsa objekti atje do të duhej të ishte rrethuar nga shiritat e policisë.

Megjithatë ky i muzeut që mbeti rrugës është vetëm njëri prej tenderave.

Ka një statistikë tashmë të konfirmuar zyrtarisht. Në pesë vitet e fundit, Ministria e Mbrojtjes ka zhvilluar më shumë tendera sekretë se sa të gjitha qeveritë e shtetit shqiptar, që nga koha e Ismail Qemalit. Mbi 50 tendera sekretë janë vetëm në periudhën 2014-2018, vetëm nga Ministria e Mbrojtjes.

Në emër të sekretit ushtarak prokurohen muze gjysmakë me tendera sekretë dhe detyrohen qytetarët të paguajnë 6 milionë euro për disa karabina si stalla. Në emër të sekretit ushtarak u blenë patate me tender sekretë për pandeminë.

Këto nuk janë procedura të klasifikuara se kanë informacion të klasifikuar. Këto janë procedura të klasifikuara për një arsye të vetme; për të ndarë paratë e qytetarëve rehat.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *