KryesoreLajme

Stradner: Fitorja e studentëve nuk garanton shkëputjen e Serbisë nga ndikimi rus

Analistja e çështjeve të sigurisë dhe gjeopolitikës, Ivana Stradner, ka paralajmëruar se ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe ndryshim i orientimit politik dhe gjeopolitik të vendit.

Në një reagim në rrjetin social X, Stradner ka vënë në dukje se lëvizja studentore në Serbi është ideologjikisht e larmishme, duke përfshirë zëra pro-perëndimorë, pro-rusë dhe neutralë. Sipas saj, ajo që i bashkoi këto grupe ishte kërkesa për rikthimin e sundimit të ligjit.

Stradner vlerëson se përqendrimi te demokracia, në vend të politikës së jashtme, i mundësoi lëvizjes studentore të shmangte strategjinë e Aleksandar Vuçiqit për ta polarizuar shoqërinë përmes çështjeve gjeopolitike.

Megjithatë, ajo thekson se sfida e vërtetë për Serbinë fillon tani. Sipas saj, shfaqjet e përfaqësuesve të lëvizjes në mediat ruse dhe deklaratat kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë janë zhvillime që duhen vëzhguar, por është ende herët për të nxjerrë përfundime, pasi qeveria e re nuk është formuar dhe vendin e presin edhe zgjedhjet presidenciale.

Lexo më shumë  Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës, në rend dite projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme

Analistja rikujton se Serbia është përballur me një situatë të ngjashme edhe pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit, kur ndryshimi politik nuk solli zhdukjen e nacionalizmit. Në këtë kontekst, ajo paralajmëron kundër një skenari që e cilëson si përsëritje të modelit të Vojislav Koshtunicës, pra ndryshim të udhëheqjes pa ndryshim thelbësor të drejtimit politik të vendit.

Sipas Stradnerit, ndikimi rus në Serbi nuk mbështetet vetëm te marrëdhëniet me individë të caktuar, por është i rrënjosur në struktura institucionale. Varësia energjetike nga Rusia i jep Moskës mundësi për presion politik, ndërsa lidhjet e konsoliduara në shërbimet e inteligjencës dhe aparatin e sigurisë paraqesin një tjetër sfidë.

Ajo vlerëson se ndryshimi i individëve në pushtet nuk do të mjaftojë, nëse nuk shoqërohet me reforma të institucioneve dhe të sistemit, veçanërisht në Agjencinë e Informacionit të Sigurisë (BIA) dhe inteligjencën ushtarake. Diversifikimi i burimeve të furnizimit me energji, sipas saj, kërkon kohë, por në fund varet nga vullneti politik.

Lexo më shumë  Rama 'shpall diktaturën': Policia merr fuqi absolute për të ndaluar tubimet dhe për të censuruar rrjetet sociale

Stradner ka bërë të ditur gjithashtu se po përcjell mënyrën se si individë të lidhur me aparatin e sigurisë po ripozicionohen në rrjetet sociale, duke i cilësuar këto zhvillime si shqetësuese dhe domethënëse.

Në përfundim, ajo thekson se transformimi i vërtetë i Serbisë nuk do të matet me atë se kush e merr pushtetin, por me gatishmërinë e udhëheqjes së re për të çmontuar sistemin që, sipas saj, e ka mbajtur vendin në të njëjtin cikël gjeopolitik.

“Ndryshimi i qeverisë nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të sistemit. Ky do të jetë testi më i rëndësishëm”, ka përfunduar Stradner.

Rruga Press

YouTube player