KryesoreLajme

Sveçla: Raporti nxjerr në pah shkelje serioze të Policisë në rastin e Arlinda Zekajt

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se 11 zyrtarë të Policisë së Kosovës janë suspenduar pas gjetjeve lidhur me trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Në konferencën për media, Sveçla njoftoi se përmes Inspektoratit Policor të Kosovës janë shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve policorë, ndërsa raportin për këtë çështje ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti.

Sipas ministrit, verifikimet e zhvilluara gjatë 72 orëve të fundit kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura lidhur me mënyrën e trajtimit të raportimeve të viktimës dhe përgjegjësitë institucionale për garantimin e sigurisë së saj.

“Përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, ne këto ditë kemi verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës. Këto 72 orë kanë qartësuar dhe konfirmuar shqetësimet që kemi ngritur, duke nxjerrë në pah dështime në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e jetës së saj. Raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës ia kam dorëzuar dje kryeministrit Kurti”, deklaroi Sveçla.

Ai bëri të ditur se në mesin e 11 zyrtarëve të suspenduar janë edhe zyrtarë të lartë të Policisë në rajonin e Pejës, përfshirë drejtorin rajonal, shefin e hetimeve rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e stacionit policor në Pejë.

Lexo më shumë  Nis punën grupi për stragjinë për apelin në Hagë, Konjufca: Mbështetje e plotë për krerët e UÇK-së

Po ashtu, suspendimi ka përfshirë shefin e sektorit të hetimeve, shefin e sektorit të operativës, komandantin e nënstacionit policor në Vitomiricë dhe katër hetues të stacionit policor në Pejë.

“Bazuar në gjetjet e evidentuara deri në këtë fazë, dje janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtorin rajonal të Policisë në Pejë, shefin e hetimeve rajonale në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, komandantin e stacionit policor në Pejë, zëvendëskomandantin e stacionit policor në Pejë, shefin e sektorit të hetimeve në stacionin policor në Pejë, shefin e sektorit të operativës në stacionin policor në Pejë, komandantin e nënstacionit policor në Vitomiricë dhe katër hetues të stacionit policor në Pejë”, tha ministri.

Duke folur për gjetjet e raportit, Sveçla theksoi se janë identifikuar shkelje serioze nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe zinxhirit komandues në Pejë. Ai shtoi se këto gjetje do të trajtohen dhe vlerësohen edhe nga Prokuroria.

Ndër shkeljet kryesore të evidentuara, ministri përmendi moszbatimin e urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në ekzekutimin e urdhrit të dytë, mosmarrjen parasysh të kërkesës për rivlerësimin e nivelit të rrezikut, si dhe mungesën e masave për shtimin e kapaciteteve policore për mbrojtjen e Arlindës.

Lexo më shumë  Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës, në rend dite projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme

“Ndër shkeljet e identifikuara përfshihen: mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, mospërfillja e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve policore në funksion të garantimit të sigurisë së Arlindës. Këto janë ndër shkeljet më serioze të evidentuara deri në këtë fazë, ndërsa hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera”, deklaroi Sveçla.

Ministri theksoi se suspendimi i 11 zyrtarëve nuk nënkupton përfundimin e procesit dhe se përgjegjësia duhet të përcaktohet përmes një hetimi të plotë.

Ai kërkoi që të gjithë zyrtarët që kanë neglizhuar raportimet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt të përballen me përgjegjësi para ligjit.

“Dua të bëj të qartë se asnjë suspendim nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm pa një hetim të plotë dhe të mirëfilltë, si dhe pa përcaktimin e përgjegjësisë para ligjit për çdo neglizhencë, për çdo raportim që nuk u mor seriozisht dhe për çdo paralajmërim që Arlinda bëri për rrezikun e jetës së saj, por që nuk mori reagimin e duhur institucional”, përfundoi Sveçla.

YouTube player