Aeroporti i Vlorës/ QKB anulon transferimin e 47% të kuotave te 2A Group, pranon ankimin e MABCO
Vetëm shtatë ditë pasi regjistroi transferimin e 47% të kuotave të Aeroportit të Vlorës nga investitori zviceran MABCO Constructions te kompania shqiptare 2A Group, Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka anuluar vendimin e saj, duke pranuar ankimin administrativ të MABCO. Institucioni ka konstatuar se regjistrimi ishte miratuar pa u administruar miratimi paraprak me shkrim i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), i kërkuar nga marrëveshja siguruese mbi kuotat e shoqërisë koncesionare.
Vendimi i datës 26 tetor 2026, i firmosur nga drejtori i përgjithshëm i QKB-së, Etugert Llazi, shfuqizon aktin administrativ të 19 tetorit, përmes të cilit ishte regjistruar kalimi i 47% të kapitalit të shoqërisë Vlora International Airport nga MABCO te 2A Group. Me këtë regjistrim, pjesëmarrja e investitorit zviceran ishte ulur nga 98% në 51%, ndërsa ajo e kompanisë shqiptare ishte rritur nga 2% në 49%.
Në vendimin e ri, QKB pranon se transferimi ishte regjistruar pa u përmbushur një kusht i rëndësishëm që rridhte nga marrëveshja siguruese e depozituar në regjistrin tregtar që prej majit 2024. Kjo marrëveshje, e lidhur ndërmjet BKT-së si barrëmarrëse dhe MABCO e 2A Group si barrëdhënëse, parashikonte kufizime për shitjen dhe transferimin e kuotave të vendosura si kolateral.
“Marrëveshja përcakton kuotat si kolateral; neni 11, shkronja ‘h’, kushtëzon shitjen, transferimin apo disponimin e tij me miratimin paraprak me shkrim të bankës”, thuhet në vendimin e QKB-së.
Institucioni ka konstatuar gjithashtu se, gjatë aplikimit për regjistrimin e transferimit, ishte paraqitur një shkresë e datës 22 shtator 2025, përmes së cilës 2A Group i ishte drejtuar BKT-së për transferimin e kuotave. Megjithatë, dokumentacioni nuk provonte se banka kishte dhënë miratimin e kërkuar.
“Nuk rezulton i administruar miratim paraprak me shkrim nga BKT-ja. Njoftimi nuk përmbush vetvetiu kërkesën e veçantë për miratim me shkrim sipas marrëveshjes siguruese”, argumenton QKB.
Ky konstatim përbën thelbin e vendimit të ri, pasi tregon se institucioni kishte miratuar ndryshimin e pronësisë së koncesionarit pa verifikuar përmbushjen e një kushti të përcaktuar në marrëveshjen siguruese, e cila ishte depozituar më parë në regjistrin tregtar.
Në përfundim të shqyrtimit, QKB vendosi “Pranimin e ankimit administrativ të shoqërisë ‘Mabco Construction SA’”, si dhe “Anulimin e aktit administrativ të miratimit, datë 19.10.2026, të aplikimit CN-711779-10-26, për regjistrimin e transferimit të kuotave të shoqërisë ‘Vlora International Airport – VIA’ sh.p.k.”
Për zbatimin e vendimit është ngarkuar Drejtoria e Regjistrimit të Biznesit, ndërsa dokumenti u është adresuar për njoftim MABCO Constructions, 2A Group, shoqërisë koncesionare dhe Bankës Kombëtare Tregtare.
Vendimi përbën një hap pas të institucioneve shtetërore në konfliktin për kontrollin e Aeroportit të Vlorës, ku prej muajsh dy ortakët janë përfshirë në një përplasje gjyqësore për vlefshmërinë e kontratës së transferimit të 47% të kuotave dhe administrimin e kompanisë koncesionare.
Megjithatë, QKB ka bërë një dallim mes ligjshmërisë së regjistrimit dhe vlefshmërisë së vetë kontratës së shitblerjes. Sipas institucionit, mungesa e miratimit të bankës përbën një mangësi që duhet vlerësuar për regjistrimin, “pa u barazuar automatikisht me pavlefshmërinë e kontratës së transferimit”.
Anulimi vjen vetëm pak ditë pasi MABCO paraqiti kallëzim në SPAK lidhur me regjistrimin e transferimit të kuotave, duke kundërshtuar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga QKB dhe përfaqësuesit e shoqërisë koncesionare.
Vendimi i 26 tetorit konfirmon se regjistrimi i transferimit të 47% të kuotave ishte miratuar pa u administruar një dokument i kërkuar nga marrëveshja siguruese.
Me anulimin e aktit administrativ, regjistrimi i transferimit të 47% të kuotave humbet bazën e tij, duke hapur rrugën për rikthimin e strukturës së mëparshme të pronësisë, me MABCO në zotërim të 98% dhe 2A Group të 2% të kapitalit.
Rruga Press

