KryesoreLajme

Bizneset drejt falimentimit, ngrejnë alarmin: Qeveria po rëndon barrën e taksave në vend që të na mbështesë!

ProEksport Albania: “Industria po humbet vende pune, qeveria propozon taksa më të larta!”

“ProEksport Albania” ka reaguar ndaj planit më të fundit të qeverisë që parashikon një rritje të barrës fiskale për bizneset, përmes rritjes së tatim fitimit nga 15 në 17%, pothuajse dyfishimit të dividend nga 8 në 15%, ndërsa ka ngritur sërish alarmin për situatën e vështirë që po kalojnë bizneset prodhuese si dhe për mungesën e dialogut me qeverinë.

Sipas deklaratës së Shoqatës, propozimet e reja të Paketës Fiskale 2027 kërkojnë një diskutim serioz me përfaqësuesit e biznesit përpara miratimit të tyre. Kërkojmë që të mos përsëritet praktika e vendimmarrjeve të njëanshme, siç ka ndodhur në vitet e mëparshme, pa një konsultim real dhe pa analizuar ndikimin në sektorët prodhues.

Lexo më shumë  Aeroporti i Vlorës/ QKB anulon transferimin e 47% të kuotave te 2A Group, pranon ankimin e MABCO

“Rritja e propozuar e tatimfitimit nga 15% në 17% dhe pothuajse dyfishimi i tatimit mbi dividendin, nga 8% në 15%, përbëjnë një barrë shtesë për sipërmarrjet. Ndërkohë, lehtësimi i tatimit mbi pagat nuk prek segmentin e pagave minimale dhe të mesme të ulëta, ku përqendrohet pjesa më e madhe e punonjësve të industrisë sonë dhe ku, sipas nesh, ndërhyrja ishte më e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Pyetja jonë është e thjeshtë: Ku janë politikat mbështetëse për industrinë prodhuese të veshjeve dhe këpucëve?

“Prej vitesh ky sektor përballet me zhvlerësimin e euros, rritjen e kostove, reduktimin e kapaciteteve prodhuese dhe humbjen e vendeve të punës. Në vend të masave që nxisin investimet, automatizimin, digjitalizimin dhe kalimin drejt prodhimit me vlerë të shtuar, po diskutojmë rritje të mëtejshme të barrës fiskale .

Lexo më shumë  Gazeta e njohur EL MUNDO: Shanset që samiti i NATO-s të mbahet në Tiranë janë thuajse zero

Shoqata ProEksport Albania, si organizata përfaqësuese e vetme e industrisë së veshjeve dhe këpucëve, një sektor që ka mbi 50 mijë të punësuar, kërkon reflektim institucional dhe hapjen e menjëhershme të tryezave teknike të konsultimit.

Nuk jemi kundër reformave fiskale, por kundër vendimeve që merren pa vlerësuar pasojat reale mbi prodhimin, eksportet dhe punësimin”, thuhet në deklaratë.

“Institucionet duhet të kuptojnë se një sektor që prej kohësh ndodhet në vështirësi serioze ekonomike nuk ka nevojë për rëndim të mëtejshëm të situatës, por për politika që garantojnë mbijetesën, transformimin dhe konkurrueshmërinë e tij”, thotë Edvin Prençe, Kryetar i Shoqatës ProEksport Albania.

Rruga Press

YouTube player