Makina me flamuj shqiptarë të bllokuar prej 4 orësh në Mal të Zi/ Shqiptari i diasporës sfidon Ramën: Bllokimi me urdhër të tij, por edhe nga malet do vijmë për protestën!
Një prej shqiptarëve të diasporës, që po udhëton nga Anglia drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës së nesërme ka denoncuar bllokimin e autokolonës në Mal të Zi. Në një prononcim për News24, Fatjon Muçaj tha se prej rreth katër orësh ndodhet i bllokuar në pikën kufitare në Nikshiq, pa marrë, sipas tij, asnjë shpjegim për arsyen e ndalimit.
“Jemi bllokuar këtu rreth 30 makina në Mal të Zi, në Nikshiq, prej 4 orësh. Nuk na është dhënë asnjë informacion se pse jemi bllokuar. Autoritetet malazeze janë urdhër, dhe nga kush janë urdhëruar? Përveç Edi Ramës, se po vimë në protestë”, tha ai.
Shqiptari tregoi se disa automjete janë ndaluar dhe se pjesëtarë të tjerë të autokolonës kanë zgjedhur pika të ndryshme kufitare, me qëllim që të shmangin bllokimet.
“Janë disa makina që janë ndaluar. Nuk e di, se jemi shumë. Ndaj disa prej nesh kemi zgjedhur pika kufitare të ndryshme, që mos të bllokohemi”, u shpreh ai. Ai tha se arsyeja e largimit të tij nga Shqipëria lidhet me mungesën e mundësive dhe kërkoi një vend ku punësimi të bazohet te aftësitë dhe jo te lidhjet.
“Ne duam një vend të drejtë demokratik, që gjen punën përmes aftësive dhe jo mes lekut dhe mikut. Ndaj kam ikur. Shumica e shokëve të mi, që kemi qenë në shkollë bashkë, janë diplomuar dhe nuk kanë gjetur punë”, deklaroi ai.
Ndërsa pret të marrë një përgjigje nga autoritetet për lejimin e hyrjes në Shqipëri, ai tha se asnjë pengesë nuk do ta ndalojë të marrë pjesë në protestë. “Por me asnjë formë nuk do të na ndalojë Edi Rama që do të hyjmë në vendin tonë. Do të vazhdojmë, do të ndjekim rrugë ilegale. Do të hyjmë dhe vijmë maleve. Ne kemi ikur me gomone e kamionë drejt Anglisë, jo më në Shqipëri!”, tha ai. Diaspora pritet t’i bashkohet protestës së nesërme në Tiranë.
Rruga Press

