Kosova dhe Holanda synojnë zgjerimin e bashkëpunimit në energji dhe bujqësi
Kosova dhe Holanda synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e energjisë së ripërtëritshme, bujqësisë dhe mbrojtjes, ndërsa po punohet edhe për përmbylljen e marrëveshjes për transportin ndërkombëtar të pasagjerëve dhe mallrave.
Kështu u bë e ditur pas takimit të parë me ambasadoren e re të Holandës në Kosovë, Astrid de Vries, gjatë të cilit u diskutua për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkërendimin strategjik ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u diskutua edhe për konsultimet politike ndërmjet Holandës, Belgjikës, Luksemburgut dhe Kosovës, me synimin për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin strategjik.
Në fokus të bisedimeve ishin edhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës për mandatin e ri, përfshirë projektet në fushën e hekurudhave dhe digave, si dhe reformat në administratën publike, arsim dhe drejtësi.
Përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Holandës, duke theksuar rëndësinë e rolit të saj në procesin e integrimit evropian të Kosovës, veçanërisht në raport me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, është shprehur mirënjohje për kontributin e Holandës në trajnimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa është theksuar gatishmëria për të avancuar më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Në fund, është bërë e ditur se palët synojnë që sa më parë të përmbyllin negociatat për marrëveshjen e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve dhe mallrave, për ta nënshkruar dhe më pas për ta ratifikuar atë.
Rruga Press

