Hapet aplikimi për përfitim të 100 eurove për punëtorët e sektorit privat në Kosovë
Ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, ka njoftuar se është hapur aplikimi për përfitim të 100 eurove si mbështetje nga Qeveria në detyrë për punëtorët e sektorit jopublik.
Ai ka thënë se aplikimi mund të bëhet duke plotësuar formularin në vijim: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim
“Secili i punësuar duhet të aplikojë individualisht, dhe të sigurohet që të dhënat e plotësuara të jenë të sakta. Llogaria bankare duhet patjetër të jetë në emër të përfituesit. Aplikimet që përmbajnë gabime, refuzohen”, ka shkruar Murati.
Afati i aplikimit do të jetë deri më 5 qershor 2026.
“Kush mund të aplikojë: – Punëtorët në sektorin privat; – Punëtorët në entitete jo-publike (OJQ); – Punëtorët në entitete publike por që nuk marrin pagë nga buxheti përmes listës së pagave (Ndërmarrjet Publike, RTK etj)”, ka shkruar Murati.
Nga kjo mbështetje mund të përfitojnë ata që kanë të ardhura mujore bruto jo më shumë se 1,000 euro.
Gjithashtu punëtori duhet të jetë i deklaruar në ATK nga punëdhënësi me deklaratën e muajit prill (që është bërë deri me 15 maj).
105 milionë euro është kostoja e të gjitha shtesave prej 100 eurosh që u ndanë nga Qeveria në mbledhjen e 22 majit.
Shtesat për mbi 322 mijë përfitues të skemave sociale e për mbi 405 mijë fëmijë do të shkojnë në afro 73 milionë euro.
Ndërkaq për 250 mijë punëtorë të sektorit privat që kanë pagën nën 1 mijë euro, do të ndahen 25 milionë euro.
Kurse, për 70 mijë studentë janë ndarë 7 milionë euro.
Rruga Press

