27-vjetori i Masakrës së Dubravës, Kurti: Krim kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Dubravës tha se kjo masakrës është një ndër plagët më të rënda gjatë luftës në Kosovë.
Kurti tha se Dubrava ishte pjesë e mekanizmave dhe represionit shtetëror serb të përdorur kundër shqiptarëve të Kosovës, që gjatë luftës u shndërrua në poligon pushkatimi.
“Në ato ditë të majit 1999, brenda Burgut të Dubravës, shteti kriminal i Serbisë kreu një ndër aktet më çnjerëzore. Nga rreth 980 të burgosur shqiptarë, 116 u vranë, 185 u plagosën, ndërsa profesori dhe mendimtari politik, Ukshin Hoti, u zhduk me dhunë. Të burgosur politikë, civilë shqiptarë, u vranë mizorisht në kundërshtim me çdo ligj ndërkombëtar. Ky ishte krim kundër njerëzimit, shkelje flagrante e konventave të Gjenevës dhe çdo norme të civilizimit njerëzor. Emrat e viktimave të Dubravës, të gdhendur në memorial janë aktakuzë e përhershme kundër atyre që urdhëruan, organizuan dhe ekzekutuan këtë krim. Dubrava mbetet dëshmi për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptare, për torturat dhe keqtrajtimin ndaj të burgosurve shqiptarë, por edhe për shpirtin liridashës të të burgosurve politikë që nuk thyhej e nuk dorëzohej para torturave në burgjet serbe”, tha Kurti, raporton KosovaPress.
Kurti tha se dëshmitë e atyre ditëve janë rrëqethëse, e njëjtë u shpreh se janë edhe aktet heroike të të burgosurve që u vinin në ndihmë shokëve të tyre, e mbi të gjitha kur, siç shtoi ai, të gjallët qëndronin në të njëjtin vend me shokët e tyre të vrarë.
“Andaj, sot kur kujtojmë viktimat e kësaj masakre, ne nderojmë edhe dëshmitarët e saj, ata që mbijetuan, ata që rrëfyen, ata që shkruan libra, dhanë dëshmi dhe e ruajtën të vërtetën nga harresa. Dëshmia e tyre është pjesë të vërtetës historike të Kosovës dhe kujtesës sonë kolektive. Kosova ka obligim moral dhe shtetëror që ta ruaj këtë kujtesë, ta dokumentojë të vërtetën dhe të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat sepse shteti që kujdeset për kujtesën, mundëson drejtësi dhe ndërton paqe. Prandaj, krahas së qenit dhimbje, kujtesa jonë bëhet edhe drejtim. Ajo bëhet busull morale për brezat që vijnë që liria të mos merret kurrë si përherë e mirëqenë dhe që krimet e të kaluarës të mos lejohen që të përsëriten. Sot, kur kujtojmë martirët e Dubravës, kur kujtojmë mënyrën se si u vranë, ne kujtojmë edhe arsyen pse jetuan, për liri, për të drejtën që populli ynë të jetojë i lirë, në vendin e vet, të vendosë për veten”, tha Kurti, raporton KosovaPress.
E pranishme në ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Dubravës ishte edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila iu “përgjigj” Shkëlzen Gashit, duke thënë se kjo masakrës u krye nën administrimin e shtetit serb mbi njerëz të çarmatosur, të mbyllur dhe krejt të pambrojtur.
“Burgu është vend ku shefi e mbyll derën nga jashtë. Ai që gjendet brenda tij nuk ka as armë, as liri e as mundësi që të mbrohet. Jeta e të burgosurit është në duart e institucionit që e ruan. Për këtë arsye, Masakra e Dubravës ndodhi brenda një institucioni shtetëror në administrimin e shtetit serb, mbi njerëz të çarmatosur, të mbyllur dhe krejt të pambrojtur. Pesha e krimit bëhet edhe më e rëndë kur dihet se të burgosurit politik shqiptarë nuk ishin aty rastësisht. Në pranverën e vitit 1999 në Dubravë u sollën njerëz nga burgje e qendra ndalimi nga Kosova por edhe nga Serbia, të dënuar politik, të dënuar për vepra të ndryshme, të arrestuar në rrethanat e luftës, ku u burgosën këtu”, u shpreh Haxhiu.
Më tej, ajo u shpreh se Dubrava nuk mjafton të përmendet vetëm si datë, por tha se duhet kujtuar si dëshmi për krimet monstruoze që Serbia i ka bërë në Kosovë.
Rruga Press

