EditorialKryesore

Çimi, patronazhisti i Vjosës

Nga Erald Korra

Koalicioni anti-Albin po profilizohet gjeografikisht me gjithë trevat shqipëtare ku faktori anti-Kombëtar ka lulëzuar me pushtetin të paktën këto 25 vjet.
Në vetvete mjafton kjo për një reflektim të tërthortë mbi zgjedhjet e 7 qershorit dhe rëndësinë jashtë kufijve të Kosovës. Famulltari që po i prin këtij koalicioni në Shqipëri është Çim Peka. I ndërgjegjshëm se Kurti fitoi gjithë betejat e mandatit të parë ndaj propagandistëve si Batoni me Ballkanin e Hapur, tashmë e pretenduar si nisma Vuçiqi; ndaj çirimit të veriut nga bandat e Radojçiqit, aq në zemër Beratit me biznes guroreje po aty; ndërgjegjësimit të vonshëm të Quintit dhe ndërkombëtarëve që erdhi më në fund. Paçka pozicionimeve, edhe këtyre nuk iu desh shumë të dallonin mes ligjit dhe terrorit, ndërsa Epsteini na zbuloi pjesën më të errët të BE-së e pasqyruar tek i dërguari saj special tashmë “lakuriq”, porsi e shihnin të miturat që frekuentonte.
Rrjedhimisht Çimi vendosi të jetë pyka e protagonizmit. Pozicioni si palë e tretë në profesionin e gazetarit i rrinte ngushtë, rrjedhimisht u shfaq në të vetmen mënyrë që i ka duk, atë të militantit. Në militant të Vjosës, madje në kryemilitant të Vjosës.  
Kaq i zellshëm u tregua saqë nuk humbi kohë dhe, sapo Vjosa shpërndau parlamentin, mikrofoni i Çim Pekës ishte në regjistrim e sipër. Gadishmëria qe aq e rrufeshme saqë mënjanoi edhe çështjen Salianji, që normalisht në rang vinte pas intervistave të Ahmetajn.
As Vjosa as Çimi nuk na zhgënjyen. Packa intervista ishte më shumë si terapi midis psikologut dhe pacientes në ankth, të dy shmangën me kujdes faktorin X, Edi Ramën.
Mirë Vjosës, por Çimit, fenomenologjia anti-Rama zorr se i përshtatet me historikun televiziv që ka formu. Nuk e bëri as për “Syrin” e faqen e teleshikuesve të afeksionuar.
Ai që mezi pret si denoncues të anatemojë të pabërat e Ramës dhe shkon deri në Zvicër, i vërsulet kombinatorit Rama-Veliajt tek inceneritorët, shpërfaq pafund dosjen Rama-Balluku, përqesh të gjorën Zegjine, kësaj rradhe hic asnjë aludim, asnjë pyetje. Prit se po interesohet edhe për dyshen Rama-Grenell por hic, prap asgjë.
Boshllëk kozmik…
Na përcolli në version më të gjerë, variantin e tij propagandues të së vërtetës zyrtare të PD-së si Kryemilitant, militantëve të thjeshtë të partisë. Këta të gjorët, që plot 3 legjislatura bëjnë të pamundurën për t’u transformuar nga militantë opozite në patronazhista pozite, e marrin të vërtetën të retushuar nga të palarat e Shkëlzenit, padrejtësive në Rrjoll, të bilanceve sakate të Bankersit, Bulqizës, etj. Çimi e di mirë që në Shqipëri evoluimi substancial dhe kualitativ i militantizmit opozitar, në përgjithësi, nën udhëheqjen e familjes Berisha, do të presë akoma gjatë deri sa të bëhet Pozitë, prandaj cdo rast është një mundësi, dhe cdo mundësi një pazar.
Agregimi koalicionit anti-Albin kaq i populluar në cdo trevë, iu duk një mundësi e artë me ndërvepru, natyrisht jo më nga prespektiva e militantit. Ju desh vetëm të shënjestoronte vektorin preferencial tek Vjosa, për vetveten të paktën, që metamorfoza të përkryhej. Dhe ja, më në fund Kryemilitanti i Shkëlzenit u trasformua në kryepatronazhist të Vjosës. Domethënë, sapo na u deklarua me epsh Zegjineja e Vjosës.
Porsi Zegjineja, edhe Çimi na flet me emra të përveçëm. Zegjineja e ka me Gazin, Cimi e ka me Albinin. Zegjineja e shkretë nuk flet për arritjet e ekzekutivit sepse publikja në Shqipëri nuk ekziston. Çimi nuk flet për publiken në Kosovë edhe psec ka cfarë të thojë.
Për shëmbull, mund të flasë për rritjen e prodhimit të brendshëm më të lartë në rajon, për buxhetin e trefishuar në 4 vjet, për shtrirjen e sovranitetit në Veri, për ndihmën për lehonat, për rritjen e rrogave minimale e shumë e shumë të tjera. Por prapë asgjë. Asnjë fjalë.  
Çimi luan nga gjysmë të vërtetat te të pathënat. E kështu nuk na prezantohet më as si gjysmë gazetar, por si gjasme gazetar. Nga i vjen guximi? Mbase tek empatia e gegnishtes së tij pak të butë, pak të çartur, si levë depërtuese dhe maskë për fjalorin e tij të ndrydhur tek teleshikuesit në Kosovë. Mbase Çimit i tingëllon i përballueshëm dhe më pak i shprishur se sa shqipja e tij perceptohet në Shqipëri. Mbase e gjen tek fakti se Vjosës është më e thjeshtë me i shërby meqë ka ku e ku më pak mëkate se Shkëlzeni.  
Po kërkon me cdo kusht që edhe në Kosovë ta njohin mirë. Çimi do ta vrasi live të vërtetën cdo natë edhe aty pasi i ka torturuar së pari fonemat dhe pastaj fonologjinë.
Një telefolklorik predikator.
Arketipi që shqiptarët e Kosovës njihnin mirë qe Batoni. Mbas 14 shkurt 2021, ky hodhi rrënjë në Tiranë në studiot e Blendit dhe Çimit. Me statusin e dyfishtë të
zëdhënësit të Vucicit dhe konsulentit misterioz me rrogë mujore 15’000 euro (ndoshta më shumë). Kurrë më si gazetar ama.
Pastaj na ishte radha e Beratit. Edhe atij iu desh të ndërronte profesion. Shfrytëzoi maksimalisht talentin me shit brockulla dhe u bë “Influencer”. Midis një reklame koncesionari dhe restoranti, porsi Batoni, fitoi praninë fikse tek Çimi. Sepse, edhe Beratin sa herë e pyet për motin të flet për “intrigantin” Albin Kurtin.
Sido që të jetë, askujt nuk duhet t’i mohohet shansi me u vetëposhtëru duke e përputhur axhendën me atë të Batonit, në statusin e telepredikatorit.
I kundërt me atë në Shqipëri, votuesi në Kosovë nuk e pranon të vërtetën as për gjasme as si gjysme, pikërisht sepse nuk bën sikur voton. Voton me të vërtetë sepse nuk i mjafton teza “e keqja më e vogël”. Të vërtetën e nderon me votë, manipuluesit i ndëshkon dhe i përqesh.
Krijohet një sinergji disproporcionale me fallcitetin dhe manipulimet e lajmëruesit, që zemëron votuesin aq më shumë kur rrenat trashanike e trajtojnë atë si analfabet.
Ditën e votimit, zemërimi trasformohet dhe përkryhet në plebishit. E vërteta ripërcaktohet kur votuesi anonim ia shpjegon manipuluesit mediatik atë gjysmë të vërtete që ky po ia fshihte. Ja shpjegon sikur t’ia shpjegojë një analfabeti që tek mosdija gjeti bashkë me guximin edhe burimin e sensacionit, si mashtrim. Aq më i madh mashtrimi, aq më i madh zemërimi, aq më i madh ndëshkimi. Mitologjikisht do ndeshesh me atë që quhet koncepti i nemezisit.

Lexo më shumë  Haxhiu në Zveçan: Rrugët janë lidhje mes njerëzve dhe dëshmi e pranisë së shtetit

8 qershori do jetë trofeu ngadhënjyes për votuesit buzagaz.
votuesi do të qeshë me Çimin nga shtëpia e vet. Mos mendoni se kjo datë do të kthehet në shkak reflektimi për Çimin. A do të arrijë ai të kuptojë se 60000 aktivistët e LV-së nuk janë as patronazhistë e as militantë në pritje? Nuk besoj. Në Vetëvendosje, vetëdija nuk pret 7 qershorin. Militantët e krijojnë vetë epilogun.
Çiimi nuk jeton në Kosovë, lulëzon në Shqipëri, në batakun e politikës ku votuesit, militantë, patronazhistë, skllevër, ministra, kryetarë partie, fushata tallava, nuk do t’i lejojnë as reflektim e as të ardhme tjetër. Çim pa reflektim.

Lexo më shumë  NATO: S’ka partneritet individual me Serbinë pa llogaridhënie e drejtësi për Banjskën

Rruga Press

YouTube player