Lajme

Qeveria e Kosovës njofton BE-në për bllokimin e fondeve të saj dedikuar Luginës së Preshevës

Fondet që Qeveria e Kosovës i ka ndarë për shqiptarët në Luginën e Preshevës janë bllokuar nga Serbia. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, ka thënë se me këtë, Serbia ka bllokuar zhvillimin, sidomos në fushën e arsimit. Për bllokadën, Qeveria e Kosovës e ka njoftuar Bashkimin Evropian

Qeveria e Serbisë i ka kthyer mbrapsht në Kosovë rreth 2 milionë euro, mjete të cilat Qeveria e Kosovës i pati ndarë në mbështetje të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. 

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Enkel Rexhepi, ka thënë se ky bllokim nga Serbia përbën pengesë serioze për zhvillim, sidomos në fushën e arsimit.

“Banka që ka kryer këtë veprim pasi ka pranuar fondet dhe ka kërkuar dokumentacione shtesë, në fund i ka refuzuar pa asnjë arsyetim të qëndrueshëm dhe kjo e bën të qartë që kemi të bëjmë me një vendim të ndikuar realisht është politik dhe është në dëme të shqiptarëve. Pra është e qartë që do të kemi edhe pasoja të drejtpërdrejta për mijëra nxënës pa libra, për qindra studentë pa bursa, për bujq pa mbështetje dhe dhjetëra organizata pa mundësi funksionimi në Luginë të Preshevës”, ka theksuar Rexhepi.

Lexo më shumë  Admirali Dragone: Nuk ka plan për reduktim të trupave të NATO-s në Kosovë

Ai ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që Serbia i ka bllokuar fondet nga Kosova.

“Është hera e pestë që po bllokohen këto fonde, sepse të njëjtat fonde për tekstet shkollore në gjuhën shqipe janë bllokuar dhe kjo fazë është faza e pestë që bllokohen dhe kthehen mbrapsht. Këtë herë, (Serbia) nuk ka dhënë asnjë arsyetim konkret se çfarë është bërë me këto fonde. Ne jemi njoftuar nga Qeveria e Kosovës që fondet janë kthyer mbrapsht d.m.th. nuk kemi asnjë shkresë nga banka se pse është refuzuar ky fond”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Dugolli: Opozita bllokoi zgjedhjen e presidentit, refuzoi çdo propozim dhe kompromis

Qeveria e Kosovës e ka dënuar bllokimin e vazhdueshëm nga Serbia të mjeteve financiare të destinuara për Luginën, duke thënë se për këtë i ka njoftuar Bashkimin Evropian (BE) dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë.

“Ky është rasti i dytë që mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës pengohen në mënyrë të pajustifikuar, duke dëshmuar për një model të përsëritur të bllokimit institucional. Rasti konkret lidhet me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 10 tetor 2025, përmes të cilit janë ndarë 304,511.16 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar, mjete që nuk janë ekzekutuar pasi janë bllokuar nga autoritetet në Serbi. Ndërkaq, në prill 2026, shuma totale e mjeteve të bllokuara ka arritur në 1,837,511.16 euro”, kanë bërë të ditur në Qeveri.

Rruga Press

YouTube player