Të rinjtë mblidhen para Kryeministrisë, të shtunën protestë kombetare
Në ditën e 17-të të protestës, të rinjtë, studentët dhe qytetarët janë zhvendosur para Kryeministrisë, duke vijuar thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar.
Protesta ka nisur pranë Parlamentit, për të vijuar më pas te Ministria e Arsimit dhe Sportit, përpara se protestuesit të marshonin drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Tubimi është zhvilluar i qetë, pa incidente të raportuara, ndërsa protestuesit shprehen të vendosur për të vijuar qëndresën deri në arritjen e qëllimit të tyre.
Vëmendja tashmë është përqendruar te dita e shtunë, kur është paralajmëruar një protestë mbarëkombëtare, me thirrje drejtuar edhe diasporës për t’iu bashkuar protestës në kryeqytet.
Raportimi i plotë:
Tubimi i të rinjve, të rejave, studentëve, qytetarëve të thjeshtë është zhvendosur në ambientet e Kryeministrisë.
Siç e kemi raportuar përgjatë mbrëmjeve apo ditëve të kaluara, ka pasur ndryshime të herëpashershme në mënyrën e organizimit apo qoftë edhe të grumbullimit të të rinjve, të rejave e jo vetëm.
Nga dita në ditë ndryshojnë oraret dhe mënyra e organizimit. Të paktën në ditën e 17-të të saj, protesta e të rinjve, të rejave, studentëve e jo vetëm ka nisur ditën e sotme pranë ambienteve të Parlamentit. Duke qenë se sot është mbajtur edhe një seancë plenare, menjëherë pas përfundimit të saj, këta të rinj, të reja e protestues kanë marshuar drejt ambienteve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, njëra nga epiqendrat kryesore të kësaj lëvizjeje dhe proteste, për të vazhduar më pas deri në orën 16:30, atëherë kur u mor vendimi për ta zhvendosur të gjithë turmën drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit, te Kryeministria, ashtu siç e kemi parë të ndodhë të paktën përgjatë këtyre ditëve të fundit.
Ka vijuar i qetë marshimi në mëngjesin e sotëm. Paraditen e sotme, qëndrimi i protestuesve pranë ambienteve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit po ka vijuar i qetë dhe është duke vijuar i qetë, për t’u mbyllur po i qetë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pranë ambienteve të Kryeministrisë.
Nuk ka pasur incidente të lëshura ndërmjet policisë apo qoftë edhe protestuesve, të rinjve e të rejave, ashtu siç kemi parë në protestat e kaluara. Këta të fundit vijojnë thirrjet e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe kabinetit të tij qeveritar dhe shprehen të palëkundur deri në arritjen e këtij qëllimi.
Në fakt, mbetet për t’u parë ajo se çfarë pritet të ndodhë gjatë fundjavës, më konkretisht të shtunën, atëherë kur është lajmëruar edhe një tjetër protestë mbarëkombëtare. I është bërë thirrje diasporës dhe jo vetëm për të ardhur në kryeqytet, për të marshuar në rrugët e kryeqytetit dhe për të kërkuar sërish dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Rruga Press

