Haxhiu takohet të enjten me partitë për datën e zgjedhjeve
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, do të zhvillojë të enjten, më 30 prill, takim konsultativ me partitë politike për datën e zgjedhjeve të reja në Kosovë.
Takimi do të mbahet në orën 15:00 dhe janë ftuar të gjitha partitë politike.
Ky takim vjen pasi më 28 prill, Kuvendi i Kosovës dështoi që të zgjedhë presidentin e ri të vendit brenda afatit kushtetues të përcaktuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 25 marsit.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet mbrëmjen e 27 prillit tërhoqi dy kandidaturat paraprake për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, dhe propozoi dy aktiviste për të drejtat e njeriut, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për postin e presidentes.
Por, në seancën që nisi mbrëmjen e 27 prillit dhe që vazhdoi deri në mesnatën e 28 prillit, partitë opozitare nuk morën pjesë, duke pamundësuar kuorumin për zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi u shpërnda dhe tani Kosova duhet të mbajë zgjedhje brenda 45 ditësh.
Haxhiu ka afat që brenda dhjetë ditësh të caktojë datën e zgjedhjeve. Dy datat për mbajtjen e zgjedhjeve janë 31 maji dhe 7 qershori.
Ndërkaq, pas një takimi me u.d. të presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha të mërkurën se ky institucion preferon 7 qershorin si datë të zgjedhjeve, pasi KQZ-së i duhet sa më shumë kohë për të organizuar votimet.
Rruga Press

