Konjufca: Diaspora në Gjermani, urë për investime dhe bashkëpunim
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka theksuar rolin e diasporës në Gjermani në nxitjen e investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Konjufca mori pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar në Prishtinë, në panelin kushtuar kontributit të diasporës në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen historike të Gjermanisë për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke vlerësuar miqësinë ndërmjet dy popujve dhe lidhjet e krijuara nga mërgata.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Konjufca vlerësoi gjithashtu kontributin e diasporës në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe krijimin e lidhjeve profesionale e afariste me Gjermaninë.
Ai theksoi se diplomacia ekonomike e MPJD-së synon t’i shndërrojë këto lidhje në mundësi konkrete për vendin, përmes partneriteteve ndërmjet bizneseve dhe lehtësimit të komunikimit me institucionet e Kosovës.
Ambasada dhe konsullatat e Kosovës në Gjermani do të vazhdojnë bashkëpunimin me shoqatat e biznesit dhe profesionistët e diasporës, me synimin për të mbështetur zhvillimin e vendit dhe perspektivën e tij evropiane.
Rruga Press

