Zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë në inaugurimin e Qendrës për studentët me nevoja të veçanta në UP
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në inaugurimin e Qendrës për studentët me nevoja të veçanta, në Universitetin e Prishtinës.
Në fjalën e tij përgjatë ngjarjes, ai shprehu se hapja e kësaj qendre shënon një hap të rëndësishëm drejt një arsimi gjithëpërfshirës për studentët në sistemin tonë edukativ.
“Bashkë me partnerët tanë, jemi përkushtuar që ky projekt të bëhet pjesë e përpjekjeve tona për të përmbushur kërkesat dhe nevojat arsimore të të gjithë studentëve, duke rritur po ashtu hapësirat e barazisë në ambientet tona akademike dhe në të njëjtën kohë duke siguruar shërbime cilësore dhe të domosdoshme”, u shpreh ai.
Zëvendëskryeministri shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të krijojë ambient të përshtatshëm dhe mbështetës për studentët me nevoja të veçanta, andaj dhe kjo qendër është një burim i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve arsimore dhe për një përgatitje sa më të mirë të studentëve, për një të ardhme të tyre të suksesshme kudo që ata vendosin të angazhohen.
“Tani që po përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri më të mirë dhe më të përfshirë në Kosovë, është shumë me rëndësi që shkollat të ofrojnë mundësi të barabarta për secilin prej nesh. Secili student duhet të ketë mbështetjen e nevojshme, në mënyrë që të zhvillojmë potencialin e tyre dhe për të kontribuar në të ardhmen e vendit tonë”, tha zëvendëskryeministri.
Në vijim, zëvendëskryeministri, bashkë edhe me përfaqësuesin e UNDP-së, Nuno Queiros dhe pjesëmarrës të tjerë, vizituan ambientet e reja të Qendrës së sapo inauguruar. Projekti është financuar nga UNDP, Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK), si dhe me mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe nga Oda Ekonomike Amerikane.
Rruga Press