Maqedonci merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Berlin
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Berlin (Berlin Security Conference), ku ishte i ftuar si panelist në debatin e nivelit të lartë me temë “Parandalimi përmes vigjilencës: Si të frenohet ndërhyrja ruse?”, së bashku me përfaqësues të lartë të NATO-s dhe Gjermanisë.
Gjatë diskutimit u trajtuan kërcënimet që burojnë nga ndërhyrjet dhe ndikimi rus, sfidat aktuale të sigurisë evropiane dhe rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet aleatëve dhe partnerëve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Sipas njoftimit, në kuadër të kësaj konference, Maqedonci ka realizuar disa takimet bilaterale me përfaqësues të lartë të SHBA-së, Gjermanisë dhe NATO-s.
“Në takimin me zëvendëskomandantin për Integrim në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), gjeneralmajor Christian Naërat, diskutoi për prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, planin strategjik katërvjeçar, zhvillimin e sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse dhe nismën ligjore për krijimin e Zonës së Industrisë për Mbrojtje. Po ashtu, u trajtua synimi i Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut (A5)”, thuhet mes tjerash.
Ministri Maqedonci takim ka zhvilluar edhe me ministrin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Florian Hahn dhe ambasadorin Dr. Detlef Ëächter, përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në NATO.
“Një moment tjetër i rëndësishëm i vizitës ishte pjesëmarrja në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSK-së, të organizuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin. Kadetët përfunduan me sukses studimet trevjeçare në akademitë ushtarake gjermane, në fushat e këmbësorisë, logjistikës, IT-së ushtarake dhe policisë ushtarake, dhe do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës”, thuhet ndër të tjerash.
Rruga Press

