Lajme

Varroset në Berlin, e bija e Aleksandër Moisiut, Bettina Moissi: ishte 100 vjeçe

Siç njoftojnë tani mediat gjermane, më 21 nëntor ndërroi jetë në një fshat pranë liqenit të Zürichut, Bettina Moissi dhe më 11 dhjetor ajo u varros në Berlin, pranë burrit të saj Heinz Berggruen, i cili ka qenë një koleksionist i famshëm i veprave të artit, shkruan Enver Robelli.

Më 15 tetor Bettina Moissi festoi ditëlindjen e 100-të, bashkë me familjen e saj. Djali i saj i madh Nicolas Berggruen është investitor gjermano-amerikan. Pasuria e tij vlerësohet në 3,1 miliardë dollarë. Djali tjetër, Olivier Berggruen, është historian i artit dhe shkrimtar. Nga një martesë tjetër ajo kishte vajzën Mikaela, e cila ka vdekur vite më parë.

Bettina Moissi u lind në Berlin më 15 tetor 1923, u rrit në Zvicër dhe ndoqi mësimet për aktore në München. Në vitet 40-të luajti në disa filma, më 1945 ishte e paraparë të jetë aktore në komedinë “Tregtari i Venedikut” të William Shakespeare. Meqë regjisori kishte përgatitur një version antisemit të shfaqjes, ajo kërkoi ndihmë nga një regjisor tjetër. Shpejt mbaroi lufta dhe projekti dështoi.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Më 1949 Bettina Moissi xhiroi filmin „Lang ist der Weg“ (E gjatë është rruga), i cili vë në fokus viktimat e Holokaustit. Më vonë ajo braktisi aktrimin.

Bettina Moissi së pari qe e martuar me Philip Rosenthal, një fabrikat porcelani dhe politikan socialdemokrat gjerman, mandej me shkrimtarin zviceran Werner Wollenberger dhe që nga viti 1959 me Heinz Berggruen, i cili ishte mik i Pablo Picassos.

Kështu e përshkruan Berggruen në kujtimet e tij njohjen me Bettina Moissi: «Sapo isha rehatuar më 1955 mbi lisat e Luxembourgut (park në Paris, v.j.), ndodhi diçka shumë më e rëndësishme për mua. Një mikeshë nga koha ime në München, Hermi, gruaja e aktorit dhe regjisorit Leonard Steckel, erdhi me njërën nga shoqet e saj për vizitë në Paris. Dama e re që shoqëronte Hermin quhej Bettina, dukej magjepse dhe kishte një natyrë po ashtu magjepse. Bettina, e pagëzuar nga prindërit e saj sipas (shkrimtares gjermane, v.j.) Bettina von Arnim, ishte, siç mësova, vajza e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu. Shumë shpejt unë nuk do të isha më beqar».

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Berggruen ishte pronar i mbi 200 veprave të artit të Picassos, Matisse, Klee, Chagall etj. Ato mund të shihen në Museum Berggruen në Berlin.

Rruga Press

YouTube player