KryesoreLajme

BE e shqetësuar: Serbia nuk e zbaton marrëveshjen e Ohrit! Autoritetet e Kosovës: Hiqni dorë nga politika e zbutur ndaj Beogradit

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimet e veta karshi qëndrimit të Serbisë, për moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Reagimi vjen fill pas një letre të autoriteteve serbe drejtuar unionit ku thuhet se Serbia nuk do ta njohë de facto Kosovën, ashtu siç kërkohet në marrëveshje, se nuk e respekton integritetin e saj territorial, sikundër nuk do të pajtohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat përcjellëse të saj. Unioni shpreh shqetësimet për këtë qëndrim të Serbisë, kjo sepse bëhet më i qartë moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, e dakorduar në fillim të këtij viti në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Për Bashkimin Evropian, marrëveshja e Ohrit, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët, cilësohet ligjërisht e obligueshme. “Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese, dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian, thanë se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët dhe se zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”. Kjo kërkohet nga deklarata e përbashkët nga takimi i fundjavës së shkuar i nivelit të lartë të BE-së me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, ku u tha se “BE-ja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në deklaratën në pjesën që i kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lexo më shumë  Kurti takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, diskutuan për disa tema të rëndësishme

Reagimi nga Prishtina

Autoritetet e Prishtinës reaguan pas refuzimit të Serbisë që ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar që siç thonë “të heq dorë nga politika e zbutjes së Serbisë”. “Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor”, shkroi në platformën X, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika  Gërvalla.

Lexo më shumë  Komandanti i KFOR-it: Ngjarjet në Kosovë ndikuan te siguria në rajon, dërguam 1,000 trupa

Më 26 tetor të këtij viti, udhëheqësit e Gjermanisë, Kancelari Scholz, Presidenti i Francës Macron, kryeministrja e Italisë Meloni dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian, pas takimeve të ndara që zhvilluan në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kosovës i kërkuan themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës. Kjo përfshihet edhe në Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas burimeve diplomatike nga BE-ja, thuhet se Këshilli Evropian do t’i kërkojë Komisionit Evropian, që të ndryshojë kriteret për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit të bëhet pjesë integrale e kapitullit të 35 për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimi Evropian.

YouTube player