GjeopolitikëKryesore

Protesta dhe grevë urie pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ministria gjermane: E papranueshme nëse janë manipuluar votat nga Vuçiç

Kundërshtarët e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dolën në rrugë të hënën në mbrëmje duke protestuar ndaj, siç thanë ata, manipulimit të zgjedhjeve të se dielës, të cilat sipas vëzhguesve ndërkombëtar u përshkuan me shumë parregullsi. Ministria e Jashtme gjermane duke shpërndarë raportimet e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë për keqpërdorim të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave shkroi se “kjo është e papranueshme për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Në Beograd, disa mijëra veta u mblodhën para selisë së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, duke brohoritur “hajdutë”, ndërsa udhëheqësit e opozitës hynë në seli për të paraqitur ankesa zyrtare me pretendimet për mashtrime në zgjedhjet për kryeqytetin serb.

Një nga udhëheqësit e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, Miroslav Aleksiç tha se Komisionit i janë paraqitur kërkesa për anulimin e zgjedhjeve në Beograd.

“Kemi dorëzuar të gjitha vërejtjet tona, dëshmitë, regjistrimet dhe gjithçka që duhet të shohë Komisioni i Zgjedhjeve, përfshirë dëshmitë se në çfarë kushtesh janë mbajtur zgjedhjet dje dhe si është kryer vjedhja brutale në qendrat e votimit, se si njerëzit nga Republika Serbe, nga Bosnja, u sollën (për të votuar). Shefi i Komisionit nuk arriti të na japë një përgjigje të vetme për asnjë pyetje, përfshirë pyetjen: Si është e mundur që ministri i Policisë nga Bosnja dhe Hercegovina të vijë për të votuar në Beograd? Sipas cilit ligj?”, tha ai.

Miroslav Aleksiç dhe udhëheqësja tjetër e opozitës Marinika Tepiç thanë se do të mbajnë grevë urie deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Lexo më shumë  Rrustemi: Opozita kur ishte në qeveri ishin ‘hajna klasik’

Gjatë protestës pati përpjekje për të hyrë në selinë e Komisionit mbi ndërtesën e të cilit protestuesit hodhën vezë, domate dhe letra higjienike.

Partia Përparimtare Serbe e presidentit Vuçiç fitoi zgjedhjet parlamentare të së dilës, sipas rezultateve paraprake. Megjithatë, një grup opozitar tha se zgjedhjet për qytetin e Beogradit, u vodhën dhe paralajmëroi se nuk do ta njohë rezultatin dhe do të kërkojë rivotim.

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

Presidenti serb u shfaq në televizionin shtetëror RTS të hënën në mbrëmje, duke deklaruar se “zgjedhjet ishin të drejta” dhe se ai donte “t’u thoshte njerëzve të mos shqetësohen … paqja, ligji dhe rendi do të mbizotërojnë”.

Në një deklaratë paraprake, një mision i përbërë nga përfaqësues të mbikëqyrësve ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut tha se votimi ishte “dëmtuar nga retorika e ashpër, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç, Serbia u bë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por opozita akuzon bllokun se po mbyll një sy ndaj mangësive demokratike të vendit në këmbim të qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit, ende i trazuar pas luftërave të viteve 1990.

YouTube player