Rada Trajkoviq: Vuçiqi është nervoz, sepse po e humb ndikimin në Kosovë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kohë më parë ka thënë se qeveria e Kosovës tani po përpiqet të krijojë organe të përkohshme në veri të Kosovës, duke pretenduar se “ata po përpiqen të vendosin serbët më të këqij, ata që askush nuk do t’i zgjidhte për asgjë dhe që punojnë vetëm për shqiptarët, në mënyrë që t’i japin goditje serbëve në veri të Kosovës”.
Me këtë rast ai e ka ofenduar Rada Trajkoviqin dhe Nenad Rashiqin, ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, të cilin e ka quajtur “diler i drogës”.
Trajkoviq ka thënë se kjo është mënyra e Vuçiqit, duke fyer ata njerëz që nuk mund t’i kontrollojë, dhe se pikërisht ky është thelbi i frikës aktuale të Vuçiqit.
“Qeveria e Kosovës është duke përgatitur emërimin e qytetarëve të caktuar në komuna të caktuara. Ashtu siç shteti serb ka autoritete të përkohshme në Kosovë që në fakt nuk kanë kaluar në procesin zgjedhor, por kanë mbështetjen e qeverisë serbe. Duke pasur parasysh se ata që u zgjodhën në zgjedhje dhanë dorëheqje, rrjedhimisht ato vende mbetën të zbrazëta. Pra, qeveria e Kosovës po përgatit dhe emëron njerëz për këshilla të përkohshme. Mendoj se edhe Vuçiqi ka informacion për këtë dhe për këtë ka biseduar me disa njerëz në veri të Kosovës, por ata nuk kanë dashur të heqin dorë nga emërimi nga autoritetet e Kosovës”, ka shpjeguar Rada Trajkoviq.
Siç shtoi ajo, Vuçiqi “tani është nervoz sepse në thelb po e humb fuqinë”.
“Të jemi të qartë, këtu nuk është problemi i bashkëpunimit me autoritetet e Kosovës, sepse njerëzit e Vuçiqit kanë bashkëpunuar edhe më shumë me autoritetet e Kosovës… Por, Vuçiqi ka pasur ndikim tek ata dhe ka mundur ta kufizojë dhe mbështesë atë dinamikë bashkëpunimi, ndërsa tani do të vijnë të tjerët te të cilët ai nuk ka ndikim. Ky është problemi, nuk është problem bashkëpunimi”, ka thënë Trajkoviq
Rruga Press