Lajme

Kurti: Në propozimin franko-gjerman s’përfshihen kërkesa të palëve: Është historik i dialogut

Kryeministri Albin Kurti është përballur me disa pyetje nga deputetë të opozitës lidhur me bisedimet në Bruksel me palën serbe dhe planin franko-gjerman.

Kur iu është kërkuar t’i tregojë “temat që do t’i negociojë të hënën” me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin, Kurti ka thënë se e ruan konfidencialitetin për të cilin është pajtuar me ndërmjetësit.

Kurti ka thënë se propozimi franko-gjerman nuk është produkt i përfshirjes së kërkesave të palëve por përfshirje e historisë së dialogut.

“Unë e kam pranuar parimin të cilin e kanë kërkuar ndërmjetësit evropian, e ajo është transparenca e procesit, konfidencitaliteti i bisedimeve. Rrjedhimisht përmbajtjen tekstuale e kam ndarë me kryetarët e partive opozitare, por jo edhe në Kuvend të Republikës. Ndonëse besoj se pas shumë muajve, pothuajse asgjë nuk ka ngelur pa njohur nga ai propozim që paraqet bazën e mirë për diskutime të mëtutjeshme që fillojnë të hënën që vjen. Tash nuk është produkt i negocimit propozimi, meqenëse më 18 gusht të vitit të kaluar është hapur tema e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes, pa pasur takime për atë temë, pasi pala tjetër nuk ishte e interesuar e as e gatshme për këtë. Tri javë pas atij takimi vjen propozimi. Pra, nuk është që ne kemi negociuar e është sjellë propozimi. Propozimi shumë më shumë ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit. Dhe nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve. Nuk është se unë kam kërkuar diçka e është përfshirë në atë propozim apo pala tjetër. Aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar si pako që do ta avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar e i cili përmban njohjen de facto e gjithë kjo e bazuar në kartën e OKB-së e cila përbën kushtetutë të sistemit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet ndërmjet shteteve të pavarura”.

Lexo më shumë  Deputetja finlandeze Tuppurainen: Kosova është pjesë e Evropës demokratike. Kënaqja e Serbisë nga Gjermania, Franca dhe Italia kundër interesave tona

Kurse, u pyet nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, për statusin e Kishës Ortodokse nëse është pikë e veçantë në planin franko gjerman.

Kurti është përgjigjur se në propozim nuk ka asgjë të veçantë historikisht të gabueshme dhe nëse do të kishte, ai është shprehur se nuk do ta pranonte kurrë.

“Më lejoni të them se pyetja juaj përmban sugjerim të pasaktë. Marrëveshja përmban njohje ndërsjellë de facto, sugjerimi se s’përmban njohje është i gabuar. Pyetja për kishën e kam thënë mënyrë eksplicite në këtë kuvend. Propozimi për marrëveshjen, përmban një pikë mbi formalizimin e statusit të kishës ortodokse serbe. Formalizimi nuk nënkupton negocim mbi statusin e saj e as diskutim mbi të drejta të veçanta. Formalizimi i referohet njohjes së Kishës ortodokse Serbe si person juridik fetar, përkatësisht bashkësi federate në legjislacionin e brendshëm të Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë nuk nënkupton asgjë të veçantë por thjeshtë përmbushjen e detyrimit të Kosovës ndaj të gjitha komuniteteve apo bashkësive fetare sa i përket të drejtave e lirive që ua njeh Konventa Ndërkombëtare për liritë e të drejtat e njeriut që është dokument përbërës i kushtetutës sonë neni 22. Formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse do të bëhet, tashmë është bërë, përmes njohjes së saj si një nga bashkësitë fetare në Kosovë në ligjin përkatës. Unë mund të ju garantoj që asgjë e veçantë, privilegjuese apo historikisht kontestuese e që ka të bëjë me Kishën ortodokse serbe nuk do të pranoja të përfshihej asnjëherë në një marrëveshje sikur kjo”.

Lexo më shumë  Kurti: Platforma E-Komuna u mundëson qytetarëve shërbime më të mira

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *