BE-ja reagon për situatën në Kosovë, e konfirmon ftesën për takim mes Kurtit e Vuçiqit
Bashkimi Evropian ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në Kosovë.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano në një konferencë për media tha se palët duhet të qëndrojnë të qeta dhe të ndalet çdo veprim i pakoordinuar, që rrezikon stabilitetin.
“Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë dhe pengon lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, theksoi Stano. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se mënyra e vetme për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje është dialogu.
Ai shtoi gjithashtu se “BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë dhe gjithashtu në koordinim me NATO-n, EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në dhe synimi është zbutja e tensioneve”.
Në fund, përfaqësuesi i Komisionit tha se pasi Kosova pranoi kërkesën e përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell dhe SHBA-së për shtyrjen e masave të planifikuara të reciprocitetit, Bashkimi Evropian ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të gjetur zgjidhje për çështjet që i shqetësojnë dhe për të shmangur tensionet në të ardhmen.
Rruga Press