KryesoreLajme

Haxhiu kërkon hetim të plotë për vrasjen Arlinda Zekajt

Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. 

Ajo ka thënë se hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj.

“Arlinda u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje. Tri ditë më parë, ajo i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë: ‘Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime’. Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë. Kur një femicid ndodh pasi viktima ka kërkuar mbrojtje, hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj. Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse”, ka shkruar Haxhiu.

Lexo më shumë  Aktakuzë ndaj Stefan Raduloviqit për pjesëmarrje në sulmin terrorist në Banjskë

Ajo ka thënë se në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, do të kërkojë që komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit, me theks të veçantë te vlerësimi i rrezikut dhe bashkërendimi ndërinstitucional. 

“Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që ligjet që miratojmë të zbatohen dhe që mangësitë të trajtohen para se të kushtojnë jetë të tjera”, ka shkruar Haxhiu. 

Lexo më shumë  Vrasja e tmerrshme e gruas në Kosovë, reagon presidentja Shiroka Pula: Të hetohen edhe ata që nuk parandaluan ngjarjen

Rruga Press

YouTube player