Policia e Tiranës arreston një tjetër shofer nën efektin e drogës
Mbrëmjen e djeshme është arrestuar një 25-vjeçar në Kombinat, pasi drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Policia e kryeqytetit bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale E. D., 25 vjeç, i cili pas testimit me aparatin drogë-testues rezultoi se drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Policia Tiranë
Policia Rrugore e Tiranës vë në pranga një tjetër shtetas që drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.
Shkon në 12 numri i drejtuesve të mjeteve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan.
Nisur nga sjelljet agresive të drejtuesve të mjeteve, Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar testet e drogës për drejtuesit e mjeteve që shfaqin sjellje agresive në rrugë dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë.
Si rezultat i kontrolleve intensive, gjatë mbrëmjes së djeshme, në Kombinat, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. D., 25 vjeç, i cili pas testimit me aparatin drogë-testues rezultoi se drejtonte automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve intensive janë testuar dhe 5 drejtues të tjerë mjetesh, të cilët kanë shfaqur sjellje agresive, por pas testimit me aparatin drogë-testues nuk kanë rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, t’u japin përparësi këmbësorëve, të mos përdorin aparatin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të mos kryejnë gara shpejtësie apo të drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit, sepse Policia Rrugore e Tiranës është e vendosur për të ndëshkuar cilindo drejtues automjeti që do të konstatohet në shkelje, nga shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat tashmë kanë mjete logjistike bashkëkohore në dispozicion.
Rruga Press