Perëndimi humb durimin, paralajmërohen masa të ashpra ndaj Serbisë
Perëndimi është duke humbur durimin me Serbinë dhe shtetet që po refuzojnë të vënë sanksione ndaj Rusisë për nisjen e luftës në Ukrainë. Në rast se Beogradi së shpejti nuk merr drejtim krah Perëndimit dhe synon të zvarrisë zgjedhjen, do të jetë periudhë shumë e vështirë për Serbinë dhe zyrtarët qeveritarë të këtij shteti, kanë thënë qarqet diplomatike për mediumin serb “Danas”.
Sipas raportimit, pos pasojave ekonomike që do të prekin Serbinë, Perëndimi mund t’i vërë sanksione liderëve të shteteve rezistuese, si presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, apo kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Rusia po ashtu s’pritet të qëndrojë duarkryq dhe pritet të ndërmarrë masat e veta ndaj shteteve mike që s’shkojnë krah interesave ruse.
Sipas burimeve diplomatike, “Danas” ka shkruar të mërkurën në mbrëmje se Vuçiqi duhet të zgjedhë mes pasojave të këqija për shtetin dhe veten dhe për “të afërmit” që e kërcënojnë në të dy krahët.
Ndërprerja e investimeve e humbja e vendeve të punës si pasojë, pezullimi i fondeve të Bashkimit Evropian e ndërprerje të bisedimeve për pranim në BE, si dhe pezullim nga sistemi i Schengenit, janë sanksionet me të cilat Serbia mund të përballet nga Perëndimi. Moska mund ta shantazhojë me energji dhe “mbrojtjen” e Kosovës.
Për qeveritarët që refuzojnë të dalin krah Perëndimit, sipas burimeve jozyrtare diplomatike për “Danas”, mund të ketë sanksione të ashpra e hetime financiare në nivelin më të lartë, e madje edhe arrestime.
Rusia vazhdon ta ruajë ndikimin në Serbi dhe se pritet ta ketë më të lehtë ndërmarrjen e masave, përmes agjencive të veta.
Qarqet diplomatike kanë thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i prijnë “disiplinimit” të rajonit, dhe se durimit po i vjen fundi. Qeveria e Serbisë s’do të ketë pafundësisht mundësinë që të gjejë arsyetime për të shmangur vendimet. SHBA-ja është në pritje të formimit të Qeverisë pa socialistët në Serbi për të nisur fushatë. Kjo besohet që është edhe arsyeja pse Vuçiqi po shtyn shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve.
Në raportim thuhet se udhëtimi në Berlin me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, është qartësim i mesazhit për të ndarë rrugën – me Perëndimin ose kundër Perëndimit.
Gazetari për politikë të jashtme, Boshko Jakshiq, ka thënë se Vuçiqi është peng i politikave të veta dhe është fajtor për situatën në të cilën gjendet.
“Gjërat janë të qarta. Nga Gjermania kemi marrë qëndrime të qarta nga presidenti dhe ministrja e Jashtme se nëse Serbia nuk iu bashkohet sanksioneve, do ta përjashtojë veten nga rruga e integrimit evropian. S’është në pyetje presioni, siç thotë Vuçiqi, që përpiqet të largojë përgjegjësinë nga vetja dhe të krijojë atmosferë në të cilën serbët duken të shtypur. Është e qartë nga Perëndimi se kjo është çështje zgjidhjeje që pritet nga Serbia si kandidate për pranim në BE. Nuk jeni të detyruar, por pasojat do të vijnë”, ka thënë Jakshiq.
Serbia është ndër të paktat vende që kanë refuzuar të vënë sanksione ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës. Bjellorusia e Hungaria janë vendet tjera që kanë vepruar njësoj.
Rruga Press