Magyar e uron Kurtin: Kosova ka rol kyç për stabilitetin e rajonit
Kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar, i ka shkruar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për t’i uruar mandatin e ri qeverisës. Në letër ai ka theksuar rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për Evropën.
Zyra e Kryeministrit të shtunën ka njoftuar se në letër Magyar ka shprehur se njeh rolin e Kosovës në stabilitetin e rajonit.
“Dua t’ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Ne njohim rolin kyç të Kosovës në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, jemi të bindur që një Ballkan Perëndimor prosperues ka rëndësi jetike për Hungarinë dhe mbarë kontinentin evropian”, shkroi ai.
Magyar rikonfirmoi përkushtimin e Hungarisë për sigurinë e Republikës së Kosovës dhe shprehu mbështetjen për integrimin e saj evropian.
“Në këtë frymë, më lejoni të ritheksoj se Hungaria mbetet e përkushtuar për të kontribuuar për sigurinë e Kosovës nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it dhe për të mbështetur vendin tuaj në rrugën evropiane”, shkroi tutje Magyar.
Rruga Press

