Caktohet vendi ku do të mbahet takimi i radhës së “Ballkanit të Hapur”
“Ballkani i Hapur’ do të mbahet gjatë muajit Qershor në Ohër. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç përmes një postimi në Instagram.
Vuçiç, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe janë dakorduar për takimin e radhës.
“Sot fola përmes videolidhjes me kryeministrat e Shqipërisë @ediramaal dhe Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski. Ne kemi rënë dakord të mbajmë një panair të turizmit, verës dhe specialiteteve të kuzhinës nga rajoni në Beograd si pjesë e nismës #OpenBalkan në fillim të shtatorit.
Kemi planifikuar edhe një takim në Ohër në qershor, ku do të nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe turizmit. Ne vazhdojmë të punojmë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike për të mirën e popujve tanë!”, shkruan Vuçiç në Instagram.
Rruga Press