Kurti pret në takim zëvendësministrin e Jashtëm të Greqisë, Fragogiannis thekson vullnetin për më shumë shkëmbime tregtare me Kosovën
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme për Diplomaci Ekonomike të Greqisë, Kostas Fragogiannis, me të cilin ka biseduar mbi mundësinë e bashkëpunimit në sektorët e përpunimit të drurit e metaleve, si dhe në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit.
Zëvendësministri Fragogiannis theksoi vullnetin për avancim të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe Greqisë, për t’i afruar njerëzit e të dyja vendeve që janë pjesë e komunitetit të biznesit.
Kurti e njoftoi Fragogiannis për progresin e konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik në një vit qeverisje, duke veçuar rritjen ekonomike prej 10.53%, që është më e larta në rajon, njëherësh më e larta në Kosovën e pavarur.
Duke folur për masat e reja të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga të cilat do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë, Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për rritjen e mirëqenies sociale.
Ndërsa, zëvendësministri Fragogiannis shprehu interesim për bashkëpunim me theks në investime ekonomike, kulturë dhe fushën e arsimit dhe aftësimit profesional.
Rruga Press