Plakat ukrainase që mbijetuan dy luftëra strehohen në Gjermani
Kur bombat nisën të binin në kryeqytetin Kiev muajin e kaluar, Tatyana Zhuravliovës iu ringjallën kujtimet e tmerrit: ukrainasja hebraike 83 vjeçe kishte vuajtur panikun e njëjtë kur ishte vogëlushe kur nazistët po bombardonin nga ajri qytetin e saj të lindjes, Odesën.
Sytë i përloten derisa kujton se si ishte fshehur nën tavolinë gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore, para se të zhvendosej në Kazakistan, kur nazistët filluan masakrimin e dhjetëra mijëra hebrenjve në Odesë.
Ajo, sikur se edhe shumë hebrenj të tjerë të mbijetuar të Luftës së Dytë Botërore, tani është vendosur në Gjermani.
“Nuk përjetova të njëjtin tmerr. E kuptoj se nëse ka një përbindësh si Vladimir Putini në krye të shtetit, njerëzit janë të pafajshëm, dhe mënyra se si jemi mirëpritur këtu, meriton një falënderim të madh”, ka thënë Tatyana Zhuravliova, 83 vjeçe.
Më shumë se gjashtë milionë hebrenj u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në Ukrainë, po jetonin më shumë se 10 mijë të mbijetuar të Holokaustit. Megjithatë, ata që kanë mbetur në Ukrainë përballen me rreziqe të mëdha. Javën e kaluar, trupat ruse vranë në Harkiv Boris Romanochenkon, 96-vjeçari, i cili kishte mbijetuar disa kampe përqendrimi.
Një grup tjetër prej 14 hebrenjsh që mbijetoi Holokaustin, shumë prej tyre të sëmurë e në regjim shtrati, janë sjellë të dielën nga Ukraina në Gjermani. Të dhënat tregojnë se janë 500 të mbijetuar të Holokaustit të cilëve u duhet ndihmë urgjente në Ukrainë.
Operacionet e nxjerrjes së tyre janë të rrezikshme dhe të ndërlikuara.
“Kam menduar edhe për këtë dhe do të qëndroj derisa të çlirohet qyteti im. Dhe natyrisht se do të qëndroj këtu, sepse jam habitur se sa mirë më kanë pritur. Jam befasua tepër mirë. Meritojnë notën A. Natyrisht se do të doja të qëndroja përderisa në Kiev do të mund të më binin bombat mbi kokë”, ka thënë Larisa Duzenko, 83-vjeçe.
Me të arritur në Gjermani, të mbijetuarit pleq të Holokaustit marrin mbështetjen e shtëpive të pleqve dhe të komuniteteve të ndryshme, përfshirë atyre hebraike, që mundohen t’ua lehtësojnë qëndrimin dhe zbusin mërzinë për mallin për familjarët dhe shtëpitë në Ukrainë.
Rruga Press