Opinion/Aktualitet

Një idiotizëm i ri politik: “grusht shteti” i qeverisë kundër opozitës

Nga Shaban Murati

Një shpikje e re terminologjike dhe politike është hedhur në qarkullim nga opozita e plakur. Po flitet për ”grusht shteti” të qeverisë kundër opozitës. Është idiotizmi më i ri shqiptar në fushën politike. Që kur lindi grushti i shtetit, të gjithë fjalorët poltikë dhe shkollat politike e përkufizojnë grushtin e shtetit si përpjekje e armatosur për të marrë pushtetin me forcën e armëve. Grushtin e shtetit e organizojnë gjithmonë forcat politike, që nuk janë në pushtet, dhe kurrë nuk ka ndodhur ta bëjnë forcat politike, që janë në pushtet, e kanë pushtetin, dhe nuk kanë nevojë për të marrë me forcë diçka që ata e kanë. Kështu kanë ndodhur grushtet e shtetit në Greqi në vitin 1967, në Qipro në vitin 1974, në Kili në vitin 1973, në Shqipëri nga PD në vitin 1998. Por gerontokratët e politikës shqiptare kanë shpikur tani “grusht shteti” të qeverisë, që ka pushtetin, kundër opozitës, që don të marrë pushtetin. Dhe që budallallëku shqiptar të jetë sa më i madh, po flasin për “grusht shteti” të qeverisë kundër një personi të vetëm, dhe konkretisht kundër kryetarit të PD.

Lexo më shumë  Krimi i organizuar dhe ndikimi serb në Kosovë

Është një idiotizëm i ri shqiptar, që dëshmon se politika dhe politikanët tanë janë ndryshe nga e gjithë bota dhe shpikin vetëm gjëra sui generis.

Shpikja e re politike bë, së pari nga që grupi i besuar politik, që u caktua nga Partia e Punës për të ngritur sistemin e ri demokratik, është analfabet politik dhe nuk ka asnjë shkollë politike dhe asnjë formim kulturor politik. Literatura e vetme politike, që ka lexuar ai grup deri në vitin 1990 kanë qenë veprat e Enver Hoxhës. Pas 1990, kur ajo u vendos në kolltukët e pushtetit, nuk pati kohë as të bënte ndonjë shkollë politike në Perëndim dhe as të lexonte libra politike, sepse u mor me intrigat e pushtetit dhe të pasurimit vetiak.

Arsyeja e dytë e kësaj shpikje politike shqiptare është se opozita shqiptare e ka shkatërruar veten në atë farë feje, saqë jo vetëm nuk vjen dot në pushtet, megjithëse ka përballë një qeveria skandalesh dhe korrupsioni, por as në mendje nuk i shkon që të vijë me vota dhe me program në pushtet. Opozita e mjerë ka vetëm hallin personal juridik të kryetarit, që po e mban si kryq në shpinë kudo që shkon. Kështu asaj i duhet një alibi për dobësinë e saj gjenetike si opozitë dhe shpik idiotizmin se qeveria po bën “grusht shteti” kundër saj dhe kryetarit të saj.

Lexo më shumë  Të gjithë kundërshtarët e Albin Kurtit !

Është kaq qesharake dhe janë bërë aq qesharakë, sa që u flasin edhe diplomatëve të huaj për “grusht shteti” qeveritar ndaj opozitës. Diplomatët e huaj natyrisht tallen dhe thonë se me këtë lloj opozite qeveria pa bërë asgjë rrin edhe 30 vjet në pushtet. Ajo nuk ka nevojë as për grusht shteti dhe as për teatër për grusht shteti. Teatrin po ia bën opozita e sotme e plakur dhe e sklerozuar.

Rruga Press

YouTube player