EditorialKryesoreOpinion/Aktualitet

Kush është me Serbinë?

Shkruan Hysamedin Feraj

Kush është me Serbinë?

Për mbi një shekull është përpunuar ideja, fillimisht në Shqipëri, dhe pastaj është bartur në Kosovë, se me Serbinë është kush lufton kundër Serbisë!

Më vonë, u përdor e gatshme,

Nga LKK kundër atyrë që kërkuan Kosovën Republikë në vitin 1968: kërkesën e ka nxit Serbia, që ta ketë si pretekst për kthimin e Rankoviqit!

– Nga LKK kundër atyrë që kërkuan Kosovën Republikë në vitin 1981: kërkesën e ka nxitur vetë Serbia që ta ketë pretekst të na heqë autonominë!

– Nga LDK (ish LKK) dhe Shqipëria kundër UÇK-së: e ka nxitur Serbia që ta ketë pretekst me na zhduk si popull!

– Nga LDK kundër shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veriun e saj nga Albin Kurti: e ka nxitur Serbia që të na prishë me aleatët dhe të na pushtojë më lehtë!

(Këtë mënyrë argumentimi që LDK e ka përdorur dikur kundër Ramushit të UÇK-së, tani po e përdor Ramushi i AAK-së kundër Albin Kurtit).

Shkurt, pra: kush ngre krye kundër programit dhe politikës së Serbisë është me Serbinë!

Lexo më shumë  Presidenti jugkorean tentoi një grusht shteti, pasoi kaosi në parlament – çfarë ndodhi gjatë gjashtë orëve kaotike në Korenë e Jugut

Logjika e këtij argumentimi u përpunua shpejt mbas shpalljes së pavarësisë (1912) dhe kufijve që iu caktuan Shqipërisë (1913) duke lënë Kosovën brenda Serbisë.

■ Argumenti thoshte:

Serbia është e fortë, Shqipëria e dobët (frika). Serbia do që ta pushtojë të gjithë Shqipërinë, por i duhet pretekst që ta legjitimojë në skenën ndërkombëtare: lufta e saj është mbrojtëse sepse u sulmua (provokua) nga shqiptarët. Prandaj ajo i nxit disa shqiptarë (si Hasan Prishtinën, etj.) që ta sulmojnë Serbinë në mënyrë që kjo ta ketë si pretekst për ta pushtuar edhe atë pak Shqipëri që u krijua, dhe kështu shqiptarët të humbin gjithçka!

Prej atëherë, ky argument ka qenë legjitimimi i veprimit të shqiptarëve kundër shqiptarëve që vepronin kundër pushtimit serb, që nga lëvizjet kaçake të viteve 1920-30 e deri sot.

■ Sa herë që ky gjykim është përdorur, ai ka dalë i gabuar:

– Kërkesa për republikë e vitit 1968 rezultoi në autonominë e Kosovës (1974).

– Kërkesë për republikë e vitit 1981 rezultoi në homogjenizimin e shqiptarëve rreth kërkesës për pavarësi të Kosovës (199-1996);

– Homogjenizimi i shqiptarëve rreth kërkesës për luftë të armatosur dhe realizimi i saj nga UÇK rezultoi në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës (1999, 2008).

Lexo më shumë  Miratohet Byroja për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Ndoshta të dy palët kanë pasur ndjenjë të barabartë urrejtjeje kundër sundimit serb, por për mënyrën si kanë menduar të merren me të, gjithmonë i gabuar ka dal argumenti “kush lufton kundër Serbisë, është me Serbinë”. Atyre që e përdorën dhe e përdorin u duhet që thjesht ndjenjës (nëse e kanë) t’ia ofrojnë edhe mendimin gjegjës: nëse e kanë ndjenjën kundër sundimit serb le të mendojnë dhe veprojnë kundër sundimit serb!

Të gjithë momentet e përmendur më sipër kanë rezultuar në sukses, pavarësisht se në kontekste ndërkombëtar shumë të ndryshëm.

■ Shkurt, nuk ka rëndësi çka mendon e çka u thotë Serbia, por çka u thotë detyra, detyra e lirisë:

Nëse Serbia u thotë luftoni kundër meje, dëgjojeni, sepse veç po ua kujton detyrën. Nëse u thotë mos luftoni kundër meje, mos e dëgjoni, sepse i bie ndesh detyrës. Ose thënë ndryshe, pavarësisht çka thotë Serbia, më luftoni apo mos më luftoni, lufta kundër sundimit serb ka qenë dhe mbetet detyrë e diktuar nga liria.

Dhe, për shqiptarët, gjithmonë ka pasur rezultat pozitiv: nga autonomia (1974) te homogjenizim popullor (1990-1999) te çlirimi me luftë (1999) te pavarësimi (2008).

YouTube player