Art & Kulturë

Ekspozita sjell ‘në dritë’ dhomën e errët të familjes Marubi

Studio e punës e familjes së fotografëve të shquar është sjellë për publikun përmes një ekspozite të re në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi

Përmes ekspozitës së quajtur ‘Expose’ të kuruar nga Orestia Kapedani vizitorët u kthyen dekada pas në kohë, në dhomën e errët më nuancë të kuqe duk eu bërë dëshmitarë të procesit të fotografisë. Ato njohën se cilat ishin etapat e krijimit te fotografisë së Marubëve – të cilat janë njëkohësisht vepra arti dhe dëshmi historike.

Drejtor i Muzeut Kombëtar Marubi, Luçiano Bedeni tregon se kur kishte përshkruar për herë të parë publikisht se në çfarë kushtesh të turpshme ndodheshin aparatet dhe veglat e punës së mjeshtërve Marubi, kishte marrë koston e linçimit dhe akuzave politike, por sot ndihej i shpërblyer që këto pajisje ishin në vendin që meritonin.

“Për këtë ekspozitë është dashur një kohë e gjatë që ta përgatisim, mbi të gjitha u morëm intensivisht me nje proces historik për të vënë në funksion të gjithë aparatet dhe veglat e punës së Marubëve pas thuajse një shekulli,” tha Bedeni.

Kuratorja Orestia Kapedani e cilëson ekspozitën si kulmin  e karrierës se saj 18 vjeçare.

“Ndjesi e papërshkrueshme të mendosh së punon më ato pajisje të cilat kanë kaluar në duart e Marubëve – me to janë larë fotografi, janë stampuar, printuar e tashmë përbejnë një nga kujtesat më të mëdha vizuale në Ballkan,” tha ajo, ndërsa shtoi se me këto objekte është ndeshur për herë të parë 20 vite më parë në ndërtesën e vjetër të fototekës.

“Ekspozita që sot shihni është ndërtuar me eksponate të cilat aso kohe qëndronin mes lagështirës, mykut – të shpërndara në një dhomë të zymët të vendosura njëra mbi tjetrën, pa asnjë kriter konservues e ashtu të plurosura mundej vetëm të hamendësohej së çfarë pasurie gjëndej në to,” shpjegoi Kapedani.

Dinastia e fotografisë së mjeshtërve të familjes Marubi mbetet një ndër memoriet më të forta të kujtesës kolektive, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Bashkë me aparaturat e kohës, solucionet, vaskat për larjen e fotove, kutitë e ruajtjes së negativëve, dhe kornizat, publikut iu prezantuan në ekspozitë edhe disa imazhe të Gegë Marubit dhe pasardhësve tij në momente pune brenda mjediseve të studios – aty ku u fiksuan personazhe dhe ngjarje të rëndësishme për kohën.

Kapedani theksoi se vlera e objekeve vinte nga trashëgimia e pasur që kishte lënë pas familja e fotografëve, por edhe nga ndjesia e intimitetit që ato mbartin.

“Duke qënë se unë zoteroj një dhomë të errët fotografie, ndjesia që përjetova ishte rikthimi në një haspirë intime, me kaq shumë ngjarje, me botë paralele, ndjenja e prekjes së materialeve të ndryshme në errësirë të plotë, puna me dritën e kuqe, tinguj të ndryshëm nga pajisje dhe objekte, tik-taku i orës që mat sekondin – koha një element kaq thelbësor në këtë process, ardhja gradiale e imazhit ne letër fotografike sapo prek vasketën që përmban zhvilluesin, ku çdo hap përmban të papritura dhe kërkon vendime,” tregoi ajo.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në muajin Korrik ndërsa interesi për të në qytetin e Shkodrës për ta vizituar ka qenë i lartë./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *