BallinaLajme

Fasonët në prag falimentimi, tatimet u bllokojnë llogaritë për borxhet e fund 2019-2020-ës

Drejtoritë rajonale të tatimeve kanë bllokuar të gjitha llogaritë e bisneseve fason për shkak të detyrimeve të akumuluara të këtyre bizneseve ndaj shtetit për periudhën fund 2019 dhe 2020.

Këtë e bën me dije shoqata kombëtare e fasonëve Pro Export Albania, e cila përmes një letër –ankese i është drejtuar Minsitrisë së Financave për zgjidhje të këtij problemi jetik për këto ndërmarrje që sipas shoqatës një pjesë e mirë e tyre janë drejt falimentimit.

“Nga informacionet që na vijnë nga fabrikat anëtare të Pro-Eksport Albania, rezulton se drejtoritë rajonale të tatimeve, sektorët e mbledhjes së borxhit tatimor po bllokojnë llogaritë e sipërmarrjeve që kanë vonesa në pagesën e kontributeve, gjoba dhe kamatë-vonesa nga sistemi, si dhe mos-pagim të tatim fitimit. Sinqerisht Zonja Ministre, na duket absurde që të mblidhen borxhet dhe kamatëvonesat e gjeneruara në fund vitin 2019 në periudhën pas tërmetit të 26 nentorit 2019 dhe ato pas muajit shkurt të vitit 2020”- citohet në letrën e Pro Export Albania drejtuar Ministrisë së Financave. Sipas tyre kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës në këtë moment krize të paparë globale.

Shoqata kërkon që të adresohet kjo situatë, pasi sipas saj, jo vetëm fabrikat nuk kanë zgjidhje të shumta për të paguar këtë borxh të akumuluar gjatë këtyre periudhave, por edhe qeveria nuk do të arrijë të mbledhë paratë nga sipërmarrje që janë në prag falimentimi.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Ata thonë se nuk mund të bëjnë publik ndërmarrjet dhe llogaritë e bllokuara për arsye se iu tremben tatimeve dhe klientëve të cilët “nëse do të mësojnë se ne kemi problem, nuk na afrohen”.

Në këtë letër shoqata ngre edhe një shqetësim tjetër, atë të përjashtimit sipas saj të ndërmarrrjeve të mëdha nga ndihma për zbatimin e protokollit të sigurisë.

Në fillim nëntor qeveria mori një vendim “Për ndihmën financiare të disa prej kategorive kryesore të ndërmarrjeve prodhuese, të cilat zbatojnë protokollet e sigurisë, në kuadër të parandalimit e të kontrollit të pandemisëCovid-19”. Bëhej fjalë për ndërmarrjet deri në 250 punonjës.

“Ju sjellim në vëmendjen Tuaj se përjashtimi në këtë VKM i fabrikave të sektorit tonë prodhues dhe eksportues me mbi 249 punonjës dhe xhiro mbi 250 milionë lekë në vit nuk ndihmon industrinë e veshjeve dhe këpucëve, përkundrazi. Këto sipërmarrje përbëjnë mbi 12 përqind të numrit total të fabrikave dhe japin 35 përqind të prodhimit për eksport, duke punësuar një të tretën e 70 mijë punonjësve në sektor. Nuk ka asnjë bazë arësyetimi përjashtimi i tyre, si biznes i madh, nga ndihma financiare prej 4 mijë lekë për punonjës për dy muaj për sipërmarrjet prodhuese, në përballim të shpenzimeve për masat mjekësore dhe sanitare anti-COVID 19 në punë. Këto fabrika njëlloj si simotrat e tyre të vogla dhe të mesme po luftojnë për mbijetesë dhe çdo ndihmë nga Shteti largon sadopak agoninë e tyre”- citon letra e Pro Export Albania drejtuar Ministrisë së Financave, ku i kërkohet asaj futja e sipërmarrjeve me mbi 249 punonjës dhe xhiro mbi 250 milionë lekë në vit në kategoritë e ndërmarrjeve, të cilat zbatojnë protokollet e sigurisë, në kuadër të parandalimit e të kontrollit të pandemisë Covid-19, përfituese të ndihmës.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Shoqata thotë se gjendja e ndërmarrjeve rrezikohet çdo ditë për shkak të situatës COVID-19 që në këtë sezon ka detyruar shumë vende partnere të biznesit të tyre të mbyllen.

Megjithëse letra është protokolluar më 23 nëntor, ende nuk është gjetur një zgjidhje, veçanërisht për problemin më akut që sipas tyre është zhbllokimi i llogarive.

YouTube player