BallinaLajme

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të veçantë në përkujtim të viktimava të gjenocidit serb

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur seancë të veçantë me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimit të këtij krimi.

Përveç deputetëve, në këtë seancë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve, përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët me një minutë heshtje kanë nderuar viktimat e gjenocidit serb në Kosovë.

Ndër të tjerë ka folur Nysrete Kumnova nga Shoqata “Thirrjet e Nënave”, e cila ka thënë se janë bërë 21 vjet duke kërkuar drejtësi për krimet dhe gjenocidin serb të kryer ndaj shqiptarëve.

Kumnova ka kritikuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare për mos zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ajo, ndër tjera ka kërkuar që Kosova të përgatis padi për krimin dhe gjenocidin serb. “ T’ia ndalim turrin Serbisë, që mos të ndihet e fituar me gjithë historinë e saj vrastare ndër shekuj, e së fundi edhe në luftën 1998-1999 në Kosovë, me ç’rast solli mbi 13 mijë viktima, vrau e masakroi pleq e fëmijë, dhunoi gra e burra, dogji krejt çka i erdhi në dorë, si dhe përndjeku mbi një milion shqiptarë nga trojet etnike”, ka thënë Kumnova, duke shtuar se regjimi serb, po ashtu rrëmbeu nga shtëpitë e tyre dhe zhduki mijëra njerëz, për t’i bartur më vonë trupat e tyre nëpër lokacionet ushtarake në Serbi, për ta fshehur krimin.

Kumnova, po ashtu ka kërkuar nga deputetët që ta votojnë Projektligjin për të Pagjeturit me procedurë të përshpejtur, kurse nga Qeveria që përfaqësuesit e shoqatave të të pagjeturve të bëhen pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë. “Jemi të gatshëm të ballafaqohemi me Serbinë, me dëshmi dhe me fakte, të cilat i kemi mbledhur nga dëshmitarët dhe familjarët”, ka thënë Kumnova.
Në vazhdim, Bajram Qerkini, ka folur në emër të Shoqatës “Zëri i Prindërve. 
Ai ka thënë se tema e të pagjeturve është e rëndë për të gjithë, veçmas për familjarët e tyre. 

Lexo më shumë  Osmani takon kongresmenin Self, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës

Qerkini ka theksuar se Serbia ka kryer gjenocid të hapur ndaj popullit shqiptar. “Ku jemi, ku duam të shkojmë, dhe çfarë duam të bëjmë për këtë gjenocid që e bëri Serbia ndaj një populli të pafajshëm?”, ka pyetur ai, duke shtuar se në mesin e të pagjeturve ka edhe fëmijë nën moshën tetë vjeçare.

“U bënë 21 vjet, por nuk po mund t’i bindim politikanët vendor dhe ndërkombëtar se nuk duhet të ketë bisedime me Serbinë pa treguar për fatin e të pagjeturve”, ka thënë ai.

Qerkini ka kërkuar edhe njëherë që mos të vazhdojë dialogu me Serbinë, pa u zbardh fati i të pagjeturve. 

Ai ka thënë se edhe sot në këtë tokë, Serbia po i shpall luftë Kosovës. “Punoni për zbardhjen fatit të të pagjeturve. Punoni e dënojeni gjenocidin serb ”, ka apeluar Qerkini.

Edhe Lush Krasniqi nga Shoqata “27 prilli 1999-Meje”, i cili është edhe dëshmitar i masakrës së Mejes, ka kritikuar institucionet vendore. 

Ai ka thënë se fatkeqësisht familjarëve të të pagjeturve, u ka humbur besimi në shumicën e institucioneve të shtetit Kosovës. 

“Gjendja më e rëndë e humbjes së besimit, është zhgënjimi. Pra, fatkeqësisht, unë si familjar dhe përfaqësues i familjarëve jam i zhgënjyer. Kam pasur besim, dhe këtë besim e kam fituar me hak nga të gjitha legjislacionet e mëparshme, mirëpo ka ikur me vrap, fatkeqësisht”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka thënë se shtetin e Kosovës dhe Kuvendin, para luftës e ka imagjinuar ndryshe, siç e kanë imagjinuar ndryshe edhe ata që nuk janë sot, përfshfirë të pagjeturit. 

Lexo më shumë  Serbi i arrestuar dje në Jarinjë dyshohet se sulmoi ushtarët e KFOR-it në maj të 2023-ës

“Kuvendi shpesh herë kur ka folur për të pagjeturit, është shëndrruar në arenë gladiatorësh”, ka thënë ai, duke kritikuar qasjen e deputetëve.

Ai ka thënë se si viktimë e luftës së fundit në Kosovë, nuk di se çfarë të flas më parë. “ Një fjalë e urtë thotë: ‘Nuk vdes, ai që vdes- vdes ai që mbetet gjallë’. Mbi ne kanë mbetur vuajtjet, ka mbetur dhimbja”, është shprehur Krasniqi. 

Në këtë seancë, ka folur edhe Luljeta Sharani, nënë e dy djemve (Valonit dhe Visarit), të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. 

Ajo ka thënë se të pagjeturit duhet të jenë çështje jo vetëm e familjeve të tyre, por edhe e institucioneve të Kosovës.

Sharani mes lotësh, ka thënë se janë bërë 21 vjet që familjarët e të pagjeturve me plag në zemër që pikon gjak, po trokasin derë me derë në kërkim të eshtrave të më të dashurve të tyre, dhe në kërkim të drejtësisë për ta.

“Janë bërë 21 vjet që kur nuk i shohim sytë e djemve tanë, nuk e ndiejmë aromën e tyre, që nuk e kemi një varr për t’i vizituar, përkujtuar, e për t’ua çuar një lule. Nuk kemi një gur ku t’i çajmë, e ata nuk kanë një copë toke Kosove për t’u prehur”, ka thënë ajo.

Në këtë kontekst, Sharani ka thënë se Serbia ka bërë krime ndaj popullit shqiptar. “Serbia është fajtore, ajo duhet të akuzohet dhe të kushtëzohet. Por, ne familjarët e të pagjeturve, familjet e të vrarëve dhe të masakruarve, drejtësi nga Serbia nuk presim. Vullnet prej saj nuk kërkojmë. Ne, sytë dhe veshët i drejtojmë nga Kosova, nga vendi ynë, nga shteti ynë”, ka theksuar Sharani.

Rruga Press

YouTube player