KryesoreLajme

Zyrtarë të lartë policorë paguheshin për t’i mbyllur sytë para kontrabandës në veri të Kosovës

Drejtues të lartë të Policisë në veriun e Kosovës paguheshin nga 1.000 deri në 1.800 euro për t’i mbyllur sytë para kontrabandës në komunat veriore. Dosjet e zyrtarëve që dyshohet të jenë përfshirë në krim pretendohej të jenë mbyllur nga ish-udhëheqës të Policisë së Kosovës në Prishtinë. Kjo e dhënë është konfirmuar në një raport të EULEX-it, të cilin e ka parë KOHA. Megjithëse EULEX-i nuk ka treguar veprimet që ka ndërmarrë në adresimin e këtyre dyshimeve, institucionet e tjera të sigurisë kanë konfirmuar hedhjen poshtë të kallëzimit penal lidhur me këtë rast

Strukturat e sigurisë, në bashkëpunim edhe me politikën, për shumë vjet i kanë lejuar kriminalitetin dhe korrupsionin në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Mbyllja e syve para kontrabandës, haraçi dhe mbyllja e dosjeve për personat që dyshohen për përfshirje në aktivitete kriminale janë konfirmuar edhe në raporte të misioneve ndërkombëtare.

Në mesin e të përfshirëve janë edhe zyrtarët policorë serbë, të cilët patën dhënë dorëheqje në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia. Por, me gjithë ekzistimin e dyshimeve ka munguar përndjekja penale lidhur me rastin që e përthekon periudhën midis viteve 2014 dhe 2017. Në këtë rast, që ngërthen kontrabandën me naftë, KOHA ka siguruar informacione se të përfshirë kanë qenë të paktën katër zyrtarë të lartë të Policisë në veri.

E institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare përgjegjësinë ia kanë adresuar njëra-tjetrës.

Pagesat mujore deri në 1.800 euro për shefat e Policisë

Shefat e stacionit policor në Mitrovicën e Veriut, të mandatuar për t’i luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, janë paguar po nga strukturat kriminale, është evidentuar në një dokument të EULEX-it të vitit 2014 dhe qasje në të cilin ka pasur KOHA.

Raporti që flet për “Korrupsionin e zyrtarëve të lartë në Mitrovicën e Veriut” i përshkruan lidhjet midis strukturave të policisë dhe atyre politike nga të dyja nacionalitetet – shqiptarë dhe serbë. Si të dyshuar në këtë dokument përmenden drejtuesit e lartë të Policisë rajonale në veri. KOHA i posedon edhe emrat e këtyre zyrtarëve, porse përderisa nuk ka aktakuza të ngritura ndaj disa prej tyre, ata nuk do të bëhen publikë.

Bazuar në këtë raport, katër shefa të njësive udhëheqëse të policisë kanë marrë shuma të majme parash në baza mujore, të cilat u janë dhënë në formë haraçi apo reketi për t’i mbyllur sytë karshi kontrabandës.

“Ata janë paguar në baza mujore prej 1.000 deri 1.800 eurosh për t’i mbyllur sytë në kontrabandën e karburanteve, madje edhe në qendrën e qytetit të Mitrovicës së Veriut”, është shkruar në raport.

Siç konfirmon dokumenti, njëri prej këtyre zyrtarëve ndërkohë ishte graduar nga posti i rreshterit në atë të kapitenit dhe mbrohej nga zyrtarë shqiptarë që ishin pjesë e hierarkisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës. Kjo bëhej me qëllimin që të sigurohej mbështetja politike nga Lista Serbe, kur ata zyrtarë t’ua mësynin pozitave të larta në Drejtorinë e Përgjithshme.

Pas gradimit të shefit të njësisë në veri ishte siguruar mbështetja nga Lista Serbe edhe për njërin prej zyrtarëve policorë në Prishtinë. Ai e kishte marrë pozitën udhëheqëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Bazuar në raport, dy shefave të policisë në veri, me diktat të njërit prej udhëheqësve të Policisë së Kosovës, u ishin mbyllur edhe dosjet e hapura në Inspektoratin Policor të Kosovës.

EULEX-i hedh përgjegjësinë tek vendorët

Lidhur me këto dyshime KOHA ka kërkuar sqarime nga institucionet e përfshira në rast. Deri në qershorin e vitit 2014, Misioni EULEX ka udhëhequr Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ka pasur rol ekzekutiv. Pas disa kërkesave zyra e këtij misioni ka treguar veprimet e ndërmarra lidhur me këtë dosje. Fillimisht nga kjo zyrë përgjegjësia i është hedhur prokurorisë vendore.

“Të dhënat tona tregojnë se ky raport i është dorëzuar prokurorit të EULEX-it në vitin 2014. EULEX-i nuk mund të komentojë nëse hetimet janë hapur apo jo. Të gjitha dosjet penale në posedim të EULEX-it u janë dorëzuar homologëve vendorë në vitin 2018 dhe për këtë arsye ju ftojmë që çdo pyetje që keni lidhur me këtë çështje t’ia drejtoni prokurorit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë ose PSRK-së”, kanë thënë fillimisht në EULEX.

Lexo më shumë  Osmani: Në Këshill të Sigurimit e thash vetëm të vërtetën që Serbia s’mund ta mohoj

IPK: EULEX-i na ka njoftuar për hedhjen poshtë të kallëzimit penal

Mirëpo në sqarimet e ofruara nga Inspektorati Policor i Kosovës është lënë të kuptohet se rasti është mbyllur nga EULEX-i pa ngritur aktakuzë.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se hetimet penale lidhur në këtë rast janë ndërmarrë nga Misioni i EULEX-it përderisa nga IPK-ja është kërkuar që të ndërmerren vetëm disa veprime të karakterit administrativ. Nga Misioni i EULEX-it, IPK-ja është njoftuar për hedhjen poshtë të kallëzimit penal lidhur me këtë rast. Ju lutem që për informacione shtesë të adresoni pyetjet tuaja tek zyrtarët e Misionit të EULEX-it”, kanë thënë në IPK.

Në kërkesën shtesë për sqarime drejtuar EULEX-it, pas përgjigjes së Inspektoratit, nga ky mision sërish nuk është komentuar mbyllja e hetimeve.

“Deri në dhjetor të vitit 2018, EULEX-i ua dorëzoi autoriteteve të Kosovës më shumë se 1.400 dosje të lëndëve prokuroriale. Dosjet e lëndëve të prokurorisë përbëheshin nga rastet në vazhdim, rastet të cilat ishin hedhur ose pushuar, dhe lëndët të cilat kanë përfunduar dhe janë arkivuar nga EULEX-i. Prandaj, për të marrë përgjigje për pyetjet tuaja, ju lutemi kontaktoni Prokurorinë”, kanë thënë nga EULEX-i.

Kur janë pyetur se në cilën kategori hyn dosja e zyrtarëve të lartë në veri, ata e kanë vënë në dispozicion numrin e lëndës.

“Dosja e lëndës (Nr. PP 269 / 2014) nga Prokuroria e EULEX-it i është dorëzuar në të njëjtën datë prokurorit vendor në Mitrovicë dhe IPK-së, më 25/07/2017”, kanë thënë në EULEX, pa specifikuar nëse hetimet janë mbyllur, ashtu siç kanë pretenduar në Inspektoratin Policor.

Ismet Ujkani, prokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka thënë të enjten se rasti është shënuar në regjistrat e prokurorisë, porse i nevojitet kohë për ta evidentuar gjithë dosjen.

“Sipas evidencës në regjistra, kjo lëndë ka qenë te EULEX-i. Në bazë të regjistrave nuk është gjetur se është kthyer prej EULEX-it ndonjë evidencë apo shënim. E kam obliguar zyrtaren për të hulumtuar dhe për ta gjetur lëndën. EULEX-i, të gjitha lëndët i ka dorëzuar në bllok”, ka potencuar Ujkani. “I kanë dorëzuar si numra, tash mbetet të shikohet për ta gjetur dosjen për të ditur se çfarë është bërë me rastin, ku është a qysh. Për momentin nuk kemi shënime se është tek ndonjë prokuror”.

Në Prokurorinë Speciale nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS se cilat lëndë i janë dërguar që prej 14 dhjetorit të vitit të kaluar.

Ushtruesi aktual i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka deklaruar se lidhur me rastin informacionet duhet t’i japë Prokuroria Speciale.

“Unë jam caktuar ushtrues detyre më vonë, por meqenëse është në kuadër të Prokurorisë Speciale, ishte dashur që t’iu drejtoheni atyre për informacione rreth rastit”, ka theksuar Kelmendi.

Dështimi në arrestimin e shefit të Operativës që i pengonte aksionet e policisë

Kryeprokuror i Themelores në Mitrovicë nga viti 2009 deri më 2020 ka qenë Shyqyri Syla.

Syla, i cili është pensionuar më 2021, ka thënë se rastet e tilla i janë proceduar Prokurorisë Speciale. Ai ka theksuar se nuk i kujtohet nëse ky rast është bartur në sirtarët e Prokurorisë së Mitrovicës.

“Nuk besoj se e kanë dërguar edhe pse shpesh është vonuar transferimi i lëndëve prej EULEX-it. Besoj se e kanë dërguar në Prokurorinë Speciale. Nuk më kujtohet si rast. E di se ka pasur hetime po nga EULEX-i, për të cilat jemi njoftuar, për shefin e operativës së Policisë, që tani është në arrati. Por edhe këtë rast e kanë dërguar në Prokurorinë Speciale”, ka thënë Syla.

Shefi i Operativës në veri, të cilit i referohet Syla, asokohe ka qenë Zheljko Bojiq, i dyshuar për krim të organizuar, për pjesëmarrje në fshehjen e provave dhe për veprimtari të tjera që kanë të bëjnë me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Në bazë të aktakuzës, e cila është ngritur ndaj Bojiqit më 19 qershor të vitit 2020, ai kishte dekonspiruar një aksion të vitit 2015, kur njësiti antidrogë kishte ndërmarrë operacion për kapjen e një sasie të madhe droge që po bartej me një veturë. Mirëpo dyshohet se me urdhër të togerit Bojiq njerëz të caktuar të krimit kishin arritur që ta pengonin njësitin antidrogë, duke e pamundësuar aksionin policor. Bojiqi ka më shumë se dy vjet që ka ikur nga Kosova ndërsa besohet se fshihet në Serbi.

Lexo më shumë  Ministria Vitia për aparaturën e Mjekësisë Bërthamore: Fjalë e fundit e teknologjisë

Në Departamentit amerikan të Thesarit, Zhelko Bojiqi identifikohet si pjesëmarrës i grupit të krimit të organizuar, i cili ishte angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe Serbi që e mundësonin lehtësimin e trafikimit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve.

Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta arrestonte atë në aksionin e tetorit të vitit 2019.

Bojiqi është njëri prej zyrtarëve që përmendet edhe në dosjet e EULEX-it. Por cak i aksionit nuk kanë qenë edhe zyrtarët e tjerë që përmenden në raport.

Para se t’i kalojë kompetencat tek vendorët, luftimi i korrupsionit ishte vetëm një nga shumë detyrat që ia kishte listuar vetes misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, që ishte vendosur në dhjetorin e vitit 2008. EULEX-i kishte për synim që t’i luftonte problemet ekzistuese në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, që përpos korrupsionit përfshinin edhe krimin e organizuar, krimet e luftës dhe mungesën e sundimit të ligjit në veriun e shtetit të ri.

EULEX-i ndër vite i është nënshtruar një ristrukturimi të madh të bazuar në një rishikim strategjik të mandatit të tij në vitin 2012, i cili prodhoi disa përmirësime strukturore.

Megjithëkëtë, vetëm në vitin 2013 korniza politike e punës së EULEX-it ndryshoi dukshëm. Po këtë vit, BE-ja e filloi një rishikim të ri strategjik për të vendosur rreth fatit të misionit, pasi që mandati përfundonte në qershorin e 2014-s. Që prej asaj kohe, mandati i është vazhduar nga dy vjet. Pas vitit 2014, EULEX-i e kishte deklaruar si prioritet rivendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës, rajon ky në të cilin për vite me radhë kanë funksionuar edhe institucionet ilegale të sigurisë, sikur janë MUP-i, BIA dhe Mbrojtja Civile.

Policët e dyshuar për korrupsion, në mesin e të dorëhequrve

Në Zyrën e Kryeministrit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse janë informuar rreth krimit të niveleve të larta në policinë e veriut, bazuar në dosjet që u janë bartur nga qeveritë e kaluara, dhe nëse planifikojnë që ta rihapin rastin.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) kanë sugjeruar ndërkaq që pyetjet t’i adresohen IPK-së.

“Ju lutem që të drejtoheni në Inspektoratin Policor të Kosovës”, kanë thënë shkurt në MPB.

Më 6 nëntor, policët serbë i dorëzuan dorëheqjet e tyre në stacionin policor në veri të Mitrovicës, në shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, i cili i obligonte serbët t’i konvertonin targat ilegale me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshoheshin që nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, në ato RKS. Mbështetur në listën që ka siguruar KOHA, numri i të dorëhequrve është 80, përfshirë zyrtarët që mbanin pozita udhëheqëse. Në mesin e tyre janë edhe drejtuesit e lartë të Policisë, të cilët përmenden në raportin e EULEX-it.

Stacioni policor në veri ishte themeluar pas marrëveshjes së parë në Bruksel të vitit 2013, e cila specifikonte që komandant rajonal duhet të ishte një serb. Komandën e këtij stacioni i fundit e ka pasur Nenad Gjuriqi, i cili ka dhënë gjithashtu dorëheqje.

Shumica e pjesëtarëve serbë që kishin pranuar të vishnin uniformën e Policisë së Kosovës i kanë shërbyer MUP-it të Serbisë.

Dialogu i Brukselit e ka mundësuar integrimin e tyre, duke ua amnistuar edhe veprat kriminale kundër shtetësisë së Kosovës. Nga 337 ish-pjesëtarët e MUP-it serb, 292 ishin bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Në tensionet e rikthyera gjatë fundit të vitit 2022 në veri janë përfshirë edhe ish-zyrtarët policorë.

Më 6 dhjetor janë demoluar zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan. Për sulmet ndaj tyre ishte arrestuar ish-zyrtari serb, Dejan Pantiq, në mbrojtje të të cilit serbët kanë vendosur barrikada, duke e penguar lëvizjen e lirë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Pengesat janë larguar, pasi që organet gjyqësore ia ndryshuan Pantiqit masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Në një konferencë për media më 7 dhjetor, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i fajësoi për sulmet në veri ish-policët serbë të cilët i braktisën postet e tyre.

Sipas Sveçlës, këto informacione janë mbledhur nga terreni prej policisë dhe shërbimit të inteligjencës.

Policia e Kosovës gjatë të mërkurës e ka shpallur konkursin e ri për pranimin e policëve nga komunitetet joshumicë në katër komunat veriore./Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *