Zyra e BE-së në Kosovë konfirmon se liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka konfirmuar se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Në një përgjigje të dhënë sot për KALLXO.com, Zyra e BE-së, këtë e ka quajtur moment historik në marrëdhëniet BE – Kosovë.
“Liberalizimi i vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Ai do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë si turistë në BE pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore”- thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.
Ndërsa kanë bërë të ditur se stafi i BE-së në Kosovë po merr pjesë në aktivitetet informuese si pjesë e fushatës për liberalizimin e vizave.
“Ky është një moment historik i rëndësishëm në marrëdhëniet BE-Kosovë dhe një hap i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt BE-së. BE-ja në Kosovë ka nisur fushatën “Explore Europe” për të shpjeguar përfitimet që sjell liberalizimi i vizave, por edhe përgjegjësitë dhe kufizimet. Stafi i BE-së në Kosovë gjithashtu merr pjesë në aktivitete informuese në disa qytete anembanë Kosovës, si pjesë e fushatës së qeverisë për liberalizimin e vizave”- ka thënë për KALLXO.com, Ioanna Lachana, zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Çështja e vizave për Kosovën ka qenë pjesë e diskutimeve këtë javë për shkak të një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e dhënë të martën në Tiranë.
Bazuar në përkthimin zyrtar të deklaratës së presidentit Macron, mediat në Kosovë publikuan informacionin se Franca ka pezulluar vizat për kosovarët.
Lidhur me këtë çështje KALLXO.com të martën (16 tetor 2023) ka kërkuar informacione nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, dhe në përgjigjen e dhënë sot (20 tetor 2023), është konfirmuar se kosovarët mund të udhëtojnë lirshëm prej 1 janarit të ardhshëm.
Vendimi për liberalizimin e vizave ka marrë miratimin në të gjitha instancat e Bashkimit Europian dhe është nënshkruar më 19 prill 2023 nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Rosëall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian.
Më 25 prill 2023, në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian është publikuar rregullorja 2023/850 për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas nenit 2 të kësaj rregulloreje, ajo hyn në fuqi në ditën e 20-të pas publikimit në gazetë zyrtare, që i bie më 15 maj 2023.
Kosova ka nisur zyrtarisht edhe fushatën informuese për vizat. /kallxo.com/
Rruga Press