Lajme

Zulfaj: Anëtarësimi në KiE të mos lidhet me dialogun, presim votim pozitiv

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka thënë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës (KiE) dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë janë procese që nuk duhet të përzihen me njëra-tjetrën.

Ai të hënën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka theksuar se presin votim pozitiv për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Procesi i dialogut nuk duhet të përzihet fare me anëtarësimin në Këshill të Evropës, sepse janë dy procese të ndara. Për neve ka qenë e rëndësishme që t’i përmbushim kriteret dhe standardet për anëtarësim, dhe i kemi përmbushur që të gjitha, ky proces duhet të përfundohet, ndërkaq në Bruksel merremi me dialogun për normalizim të marrëdhënieve”, është shprehur Zulfaj.

Ai ka thënë se të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova për anëtarësim në Këshill, janë kaluar me susles, e beson se edhe ajo e radhës do të kalohet po ashtu. 

“Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të ketë një votim me 2/3, nga 612 anëtarë sa ka Këshilli i Evropës dhe shumica e anëtarëve të Këshillit të Evropës kanë qëndrim pozitiv … Kemi kaluar me sukses të gjitha në të cilat është bërë votimi, duke filluar nga marrja e opinionin ligjor, prej marrjes së opinionit nga Zyra ligjore e Këshillit të Evropës, dhe të gjitha fazat janë kaluar, siç do të kalohet besojmë edhe hapi i radhës”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Kosova ka përmirësuar fushën e sundimit të ligjit e atë të respektimit të të drejtave të njeriut.

Lexo më shumë  Instituti Ndërkombëtar Republikan: Shqipëria dhe Kosova, vendet më pro-perëndimore në Ballkanin Perëndimor! Serbia në krah të Rusisë

Megjithëkëtë ai ka thënë se ka shtete që mund të kenë qëndrimet e tyre për procesin dhe se Serbia është duke lobuar kundër Kosovës. 

“Sigurisht ka shtete të ndryshme që kanë qëndrimet e tyre karshi këtij procesi, sigurisht që Serbia po lobon egër që të pamundësohet anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshill, kjo po e bën këtë përkundër zotimeve që i ka marrë me pranimin e Marrëveshjes Bazike por edhe aneksit të Ohrit”, ka theksuar ai, duke shtuar se Serbia po i shkel në mënyrë flagrante marrëveshjet.

Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes Bazë të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë se nuk mund ta zbatojnë vetëm një nen të marrëveshjes, vetëm se atë e kërkon Serbia. 

Lexo më shumë  Kurti: Strategjia për ujë siguron menaxhim me nevojat shtetërore

“Neni 7 i marrëveshjes ka të bëjë me vetmenaxhimin dhe do të duhej të adresohej marrëveshja në tërësi, ne nuk mund ta adresojmë një nen të marrëveshjes, vetëm pse këtë po e kërkon e dëshiron Serbia … Mendoj që zbatimi i marrëveshjes nuk duhet paragjykuar, rezultati i nenit shtatë, Qeveria e Republikë së Kosovës ende nuk pranuar asnjë dokument që të ia dërgojë Gjykatës Kushtetuese, çka t’i dërgojmë ne Kushtetueses. Ka drafte, por nuk ka një pranim nga ana e Qeverisë së Kosovës të asnjë drafti”, ka deklaruar Zulfaj. Sipas tij Serbia nuk do ta zbatojë marrëveshjen, por “do vetëm një nen dhe pastaj ta hedhë marrëveshjen”. 

Më 16 prill mbahet takimi i Asamblesë Parlamentare ku do të zhvillohet debat për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në këtë sesion do të diskutohet raporti i raportueses për Kosovën Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve e prezentë.

Në qoftë se votimi është i suksesshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024.

Rruga Press

YouTube player