Bota

Zelensky në Uashington, “Patriot” në Ukrainë

Presidenti ukrainas shkon për vizitë në Uashington. Është planifikuar një takim me presidentin amerikan Biden dhe një fjalim në Kongres. Pritet publikimi i vendimit për dërgimin e sistemit raketor “Patriot” në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkoi në vizitën e tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga fillimi i agresionit rus. Uashingtoni zyrtar konfirmoi raportet e mediave që njoftuan vizitën. Presidenti ukrainas do të pritet në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan Joseph Biden, pas së cilës Zelensky do të flasë në Kongres. Pritet që gjatë takimit me Zelenskyn, Biden të njoftojë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dorëzojnë Ukrainës sistemin raketor të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Zelensky konfirmoi në Twitter se po udhëtonte për në SHBA: “Unë fluturova për në SHBA për të forcuar stabilitetin dhe aftësinë mbrojtëse të Ukrainës”.

Udhëtimi i parë jashtë vendit prej fillimit të luftës

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Zelensky nuk është larguar nga vendi në ndonjë udhëtim zyrtar. Në skenën politike botërore, për shembull në samitin e G7 në Elmau të Bavarisë, ai foli përmes videos duke treguar pamje nga Ukraina. Ai ka udhëtuar disa herë edhe në zonën e luftimeve, ndryshe nga presidenti rus Putin, i cili kurrë nuk e ka vizituar frontin deri më tani.

Sipas të dhënave nga Shtëpia e Bardhë, Biden dhe Zelensky fillimisht kanë folur me telefon për një vizitë të mundshme në mes të dhjetorit, pas së cilës pasoi një ftesë zyrtare nga Uashingtoni.

Lexo më shumë  Britania dhe SHBA-ja shpallin sanksione ndaj Iranit

Zelensky do të ketë shumë takime në Uashington. Të dy presidentët njoftuan se do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Në mbrëmje ai do të flasë në Kongres. Pas kësaj, do të kthehet në Ukrainë.

Që nga fillimi i luftës, Uashingtoni ka dërguar miliarda dollarë ndihmë ushtarake në Kiev. Sot Biden do të shpallë një paketë tjetër ndihme prej gati dy miliardë dollarësh, tha një përfaqësues i lartë i qeverisë amerikane, duke shtuar se paketa do të përfshijë sistemin raketor kundërajror “Patriot”. Kjo nuk është befasi, sepse tashmë edhe mediat kanë raportuar se qeveria amerikane po mendonte për dërgimin e këtij sistemi raketor në Ukrainë.

“Patriot” mund të ndryshojë gjërat

Sipas ekspertëve, sistemi “Patriot” mund të çojë në një ndryshim të situatës në terren, pasi mund të rrëzojë aeroplanë, raketa me rreze të mesme dhe të gjata, drone dhe fluturake të tjera.

Një përfaqësues i qeverisë amerikane tha se ushtarët ukrainas do të trajnohen për sistemin në një vend të tretë. Ai nuk e specifikoi se cili vend do të jetë ai. Është logjike të supozohet se ukrainasit – si në rastin e sistemeve të tjera – do t’i nënshtrohen trajnimit në Gjermani, por kjo nuk është konfirmuar.

Moska paralajmëroi kohët e fundit Uashingtonin që të mos dërgojë “Patriot” në Ukrainë. Ashtu si armët e tjera të rënda, ky sistem raketor do të bëhet “objektiv legjitim me prioritet”, tha të dielën e kaluar zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse Maria Zakharova. Uashingtoni e ka furnizuar më parë Ukrainën me sistemin Himars dhe Nasams.

Lexo më shumë  “Kosova në KiE vendim historik”, Goncharenko: Era e perandorive ka mbaruar, nuk ka vend për perandori ruse, serbe apo tjetër në evropë

“Ne nuk duam një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë”, tha përfaqësuesi i qeverisë amerikane dhe shtoi se kjo nuk do të ndryshojë as pas vizitës së Zelenskyt dhe dorëzimit të sistemit “Patriot”. “Ka të bëjë me dërgimin e një mesazhi për Putinin dhe gjithë botën se Amerika do të jetë me Ukrainën për aq kohë sa të duhet.” Ai tha gjithashtu se vizita është një mundësi e mirë që Zelensky t’i drejtohet popullit amerikan.

Buxheti parashikon 42.3 miliardë euro për Ukrainën

Të martën (20. dhjetor), republikanët dhe demokratët në Kongresin e SHBA ranë dakord për një projektbuxhet në shumën prej 1.7 trilion dollarë amerikanë (1.6 trilion euro). Buxheti parashikon 44.9 miliardë dollarë (42.3 miliardë euro) ndihmë për Ukrainën. Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve duhet ta votojnë draftin.

Kjo është vizita e dytë e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë që kur Biden u bë president i SHBA. Presidenti ukrainas vizitoi Uashingtonin për herë të parë në verën e vitit 2021. Në atë kohë, administrata Biden e paralajmëroi atë për mundësinë e një sulmi rus, duke cituar informacione nga shërbimi inteligjent. Pas fillimit të luftës, SHBA dhe aleatët e saj vendosën sanksione të ashpra kundër Rusisë./DW

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *