OKB-ja u bën thirrje shteteve të vendosin rregulla për sigurinë e inteligjencës artificiale brenda një viti
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje shteteve të botës që brenda një viti të hartojnë një kornizë të përbashkët ndërkombëtare për garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e rreziqeve që lidhen me inteligjencën artificiale.
Thirrja u bë gjatë Samitit Special për Sigurinë e Inteligjencës Artificiale, të mbajtur në Bridgetown të Barbadosit, ku Guterresi kërkoi bashkërendimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të vendosur standarde të përbashkëta, mekanizma kontrolli dhe mbikëqyrje të pavarur mbi zhvillimin e kësaj teknologjie, raportoi të martën Reuters.
Sipas tij, masat aktuale për mbrojtjen nga rreziqet e inteligjencës artificiale mbeten të fragmentuara, ndërsa shumë qeveri po përpiqen të përshtaten me ritmin e shpejtë të zhvillimit teknologjik.
Guterresi ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale po sjell një zhvendosje historike të pushtetit, nga institucionet shtetërore dhe qeveritë drejt një numri të kufizuar kompanish dhe individësh që kontrollojnë zhvillimin e teknologjive më të avancuara.
Sipas tij, institucionet ndërkombëtare të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore nuk janë plotësisht të përgatitura për realitetet e reja që po krijon revolucioni teknologjik. Për këtë arsye, ai ka theksuar nevojën që rregullimi i inteligjencës artificiale të ecë paralelisht me zhvillimin e saj.
Propozimi i tij përfshin masa të përbashkëta sigurie, standarde për testimin e sistemeve të inteligjencës artificiale, transparencë më të madhe dhe vlerësim të pavarur të modeleve më të avancuara.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga kreu i OKB-së lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale në fushën ushtarake, veçanërisht në zhvillimin e armëve autonome. Guterres ka ritheksuar kundërshtimin e tij ndaj sistemeve që mund të marrin në mënyrë të pavarur vendime për të vrarë njerëz.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se përfitimet e inteligjencës artificiale nuk duhet të përqendrohen vetëm në vendet e fuqishme dhe kompanitë e mëdha teknologjike, por duhet të jenë të qasshme edhe për shtetet në zhvillim.
Kryeministrja e Barbadosit, Mia Mottley, ka mbështetur nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse, duke theksuar se edhe shtetet e vogla duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në hartimin e rregullave që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre.
Nisma parasheh gjithashtu rritjen e investimeve për ngritjen e kapaciteteve teknologjike në vendet në zhvillim, përfshirë krijimin e një fondi global që synon të mobilizojë rreth 3 miliardë dollarë në financime fillestare.
Thirrja e OKB-së vjen në një kohë kur inteligjenca artificiale po përparon me ritme të shpejta, ndërsa debati ndërkombëtar për kufijtë, përgjegjësinë dhe kontrollin e saj po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Sfida kryesore mbetet krijimi i rregullave që mundësojnë përfitimin nga inovacioni teknologjik, pa cenuar sigurinë, të drejtat e njeriut dhe interesin publik.
Rruga Press

