KryesoreLajme

Zbulim i rrallë në Verboc të Drenasit, gjurmë që mund të jenë deri në 70 mijë vjet të vjetra

Në Verboc të Drenasit po zhvillohen hulumtime arkeologjike për periudhën e Paleolitit, ku studiuesit pretendojnë se kanë identifikuar gjurmë që mund të jenë deri në 70 mijë vjet të vjetra.

Lokalitetin në fshatin Verboc e kanë vizituar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe nënkryetari Arben Shala, të cilët janë njoftuar nga afër me punën e studiuesve dhe rezultatet e deritanishme.

Hulumtimi po zhvillohet nga studiues të Universitetit të Tübingenit në Gjermani, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës. Në ekipin hulumtues është edhe arkeologu nga Drenasi, Sami Haziraj.

Lexo më shumë  Gazetarja e “Danas” pas nderimeve për Mlladiqin: Kjo është një nga ditët më të turpshme në historinë e Serbisë

Pjesë e hulumtimit është edhe profesori i Universitetit të Tübingenit, Prof. Dr. Harald Floss, ndërsa punën në terren nga Instituti Arkeologjik i Kosovës e udhëheq arkeologu Luan Gashi.

Gjurmimet e para në këtë lokalitet kanë nisur në vitin 2021. Sipas vlerësimeve fillestare të studiuesve, gjurmët e identifikuara mund t’i përkasin periudhës së Paleolitit dhe të jenë rreth 25 mijë deri në 70 mijë vjet të vjetra.

Megjithatë, bëhet fjalë për vlerësime fillestare dhe mosha e saktë, si dhe interpretimi i gjetjeve, pritet të përcaktohen përmes analizave dhe studimeve të mëtejshme shkencore.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka cilësuar hulumtimin si të rëndësishëm për komunën dhe Kosovën.

Lexo më shumë  Nga Zvërneci te 100 ditët në shesh: Kur qytetari refuzoi të ishte vetëm votues

“Është jashtëzakonisht interesante të shohësh se në tokën e Drenasit mund të ruhen gjurmë që na çojnë dhjetëra mijëra vite prapa në historinë e njerëzimit”, ka deklaruar Lladrovci.

Ai ka thënë se Komuna e Drenasit do të vazhdojë të mbështesë punën shkencore dhe institucionale për dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj pasurie.

Rezultatet përfundimtare të hulumtimeve pritet të japin të dhëna më të sakta për moshën dhe rëndësinë arkeologjike të lokalitetit në Verboc.

YouTube player