BotaKryesore

Bosnja tërheq stafin e Ambasadës nga Serbia pas varrimit të Mlladiqit me nderime shtetërore

Ministri i Jashtëm i Bosnje e Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, njoftoi të hënën se pothuajse i gjithë personeli diplomatik i Ambasadës së Bosnjës në Serbi do të tërhiqet, si përgjigje ndaj veprimeve të zyrtarëve serbë pas vdekjes dhe varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.

Konakoviq tha se në Beograd mund të mbeten vetëm ambasadori dhe konsulli, pasi për emërimin dhe shkarkimin e tyre vendos Presidenca e Bosnjës, ndërsa pjesa tjetër e stafit do të tërhiqet.

Sipas tij, shërbimet konsullore pritet të transferohen te ambasadat e Bosnje e Hercegovinës në Zagreb dhe Podgoricë.

Ai e arsyetoi vendimin me zhvillimet në Serbi pas vdekjes së Mlladiqit, përfshirë varrimin, ceremoninë përkujtimore dhe mesazhet që janë shfaqur në publik.

“Po të mundesha, që sot do t’i ndërprisja marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Ajo që mund të bëj është të punoj që marrëdhëniet t’i zvogëloj në minimumin e mundshëm”, tha Konakoviq.

Lexo më shumë  Gazetarja e “Danas” pas nderimeve për Mlladiqin: Kjo është një nga ditët më të turpshme në historinë e Serbisë

Ai tha se “nuk ishte befasuar” nga prania e zyrtarëve të Republikës Sërpska në varrimin e Mlladiqit në Beograd dhe paralajmëroi se do të kërkojë sanksione “në të gjitha adresat” ndaj individëve që morën pjesë në ceremoni, përfshirë anëtaren e Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq.

Shefi i diplomacisë boshnjake tha se “alarmi i fundit” ishte mesazhi “Drejt Potoçarit”, i shfaqur në ndeshjen e Crvena Zvezdës, duke vlerësuar se ngjarje të tilla përbëjnë vazhdim të glorifikimit të krimeve të luftës dhe autorëve të tyre.

Gjatë derbit mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit më 6 shtator, tifozët në tribunën veriore të stadiumit “Rajko Mitiq” shfaqën një portret të madh të Mlladiqit me mbishkrimin: “Drejt Potoçarit”.

Lexo më shumë  Kurti takon ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë, kërkon vazhdimin e mbështetjes për integrimin euro-atlantik

Portreti i tij qëndroi i ekspozuar në tribunën veriore gjatë gjithë ndeshjes.

Konakoviq paralajmëroi gjithashtu një ofensivë diplomatike ndaj Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Ai tha se do të dërgohen një sërë notash dhe letrash diplomatike, përmes të cilave do të kërkohet reagim i qartë ndaj qëndrimit të Serbisë ndaj krimeve të luftës të vërtetuara me vendime gjyqësore.

Sipas tij, Bosnja nuk do t’u përgjigjet më në mënyrë pasive përpjekjeve për rishikimin e fakteve për krimet e luftës dhe do t’i përdorë më intensivisht kanalet diplomatike për të paraqitur, siç tha ai, të vërtetën për ngjarjet e luftës së fundit.

YouTube player