KryesoreOpinion/Aktualitet

Washington Post: Rusia po shkon gradualisht drejt kolapsit

Presidenti Vladimir Putin po vë bast se një luftë e gjatë në Ukrainë, do t’i lodhë kundërshtarët e tij më shpejt se sa vetë Rusinë. Ai mund të ketë të drejtë, por ekzistojnë disa mënyra, përmes të cilave Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj mund ta ngatërrojnë këtë strategji.

Pika më e fortë e Perëndimit është forca e tij ekonomike, gjithnjë nëse mund të grumbullojë vullnetin e nevojshëm për ta ushtruar atë. Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi më 24 shkurt, ditën kur filloi lufta, se do t’i “impononte kosto të rënda mbi ekonominë ruse, menjëherë dhe me kalimin e kohës”.

“Ne do ta dëmtojmë aftësinë e tyre për të konkurruar në një ekonomi të teknologjisë së lartë të shekullit XXI”, shtoi ai. Ky kërcënim u nënvizua më 25 prill nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin: “Ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar, deri në shkallën që të mos mundet të bëjë më gjërat që ka bërë tashmë gjatë pushtimit të Ukrainës”.

Gjenerali Mark A.Milley, kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit të Ushtrisë Amerikane, ka folur në terma të ngjashëm për të fituar një konflikt “shumë të gjatë”, që mund të zgjasë me vite. Por Perëndimi nuk ka qenë kurrë shumë i aftë në durimin strategjik.

Dhe që tani mund të ndihet shqetësimi që gjallon midis zyrtarëve amerikanë dhe evropianë, se rusët historikisht të përvuajtur, do të jenë në gjendje të na presin në fushën e betejës në Ukrainë dhe të shmangin sanksionet në shtëpinë tyre. Sipas këtij vlerësimi gjithnjë e më të përhapur, sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më të mëdha do të bëhen shanset e Rusisë.

Me sa duket, Perëndimi po luan në rastin më të mirë për një ngërç të përgjakshëm të luftës në Ukrainë. Por si mund ta ndryshojë Perëndimi pesimizmin që e ka kapluar këtë muaj, në mënyrë që në dimër, të jetë Rusia ajo që të ndjejë acarin, dhe jo Ukraina?

Përgjigja më e mençur, është që sanksionet ekonomike të zbatohen në një mënyrë të tillë që ta mbërthejnë Rusinë si në një darë çeliku. Kjo do të thellonte më tej dobësinë më të madhe strategjike të Rusisë: që forcat e saj janë të pakta në një terren shumë të gjerë.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Dëshmia më e mirë se sanksionet po funksionojnë, edhe pse shumë ngadalë, vjen nga vetë zyrtarët rusë. “Situata nuk është e lehtë”, e pranoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov muajin e kaluar. Ndërkohë Herman Gref, kreu i Sberbank, banka më e madhe në Rusi, paralajmëroi: “Mund të na duhet rreth një dekadë që ta rikthejmë ekonominë në nivelet e vitit 2021!”.

Ai u tha gazetarëve kohët e fundit, se kostoja e dërgesave të mallrave në Rusi ishte 6-fishuar për shkak të sanksioneve perëndimore. “Edhe ne po luajmë gjithashtu lojën e gjatë në Ukrainë”, tha të enjten Sekretarja amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo.

Shtetet e Bashkuara krijuan një koalicion prej mbi 30 vendesh për t’i mbështetur sanksionet, vuri në dukje ajo, dhe e ka bërë këtë me një rezultat të kënaqshëm. Eksportet e gjysmëpërçuesve në Rusi, kanë rënë me 74 për qind krahasuar me një vit më parë.

“Dhe pa gjysmëpërçues nuk mund të kesh një ushtri moderne”, tha Raimondo.

Për shkak të çmimeve të larta të energjisë, Rusia ka ende para. Por për Moskën po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të blejë atë që i nevojitet, dhe kjo për shkak të kontrolleve të Perëndimit ndaj eksporteve.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Tregtisë, tha se eksportet e SHBA-së në Rusi të produkteve të ndaluara – në thelb çdo gjë që i nevojitet ushtrisë ruse, kompanive të teknologjisë apo sektorit energjitik – kanë rënë me 95.9 për qind në krahasim me një vit më parë.

Administrata Biden mund të duket si tepër optimiste për efektin e sanksioneve. Por një studim muajin e kaluar nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, tregon një ndikim të rëndësishëm të tyre. Duke përdorur të dhënat e eksportit nga 54 vende (të cilat vitin e kaluar përbënin 90 për qind të importeve të Rusisë), ata zbuluan se eksportet e vendeve që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, kanë rënë me 60 për qind që nga gjysma e dytë e vitit 2021.

Edhe eksportet nga vendet që nuk kanë vendosur sanksione, kanë rënë me 40 për qind. Ka disa kompensime përmes ndërmjetësve të korruptuar, por kjo sasi është më pak se sa pritej.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

“Ne nuk kemi parë përpjekje nga asnjë vend që t’i japë fund kontrolleve tona të eksportit, përfshirë Kinën dhe Iranin”, tha Raimondo.

Mbështetja e huaj për kompanitë ruse të teknologjisë dhe komunikimit po bie gradualisht. Ericsson dhe Nokia i kanë kufizuar operacionet. Dhe po kështu ka vepruar edhe gjiganti kinez i telefonave celularë Huawei. Kompania Microsoft, ka ndalur jo vetëm aktivitetin e tij në Rusi; po punon në mënyrë aktive për të penguar sulmet kibernetike ruse.

Ushtria ruse po humbet me shpejtësi pajisjet e saj, dhe zëvendësimi i tyre nuk do të jetë i lehtë. Sipas raporteve të publikuara nga pala ukrainase, Rusia ka ndalur ose kufizuar prodhimin e tankeve në Korporatën Uralvagonzavod, dhe në Uzinën e Traktorëve në Chelyabinsk.

Po ashtu është ndërprerë prodhimi i raketave tokë-ajër në Uzinën Mekanike në Ulyanovsk.

“Sanksionet e dëmtuan praktikisht të gjithë logjistikën në vendin tonë”, pranoi ministri rus i Transportit Vitaly Savelyev.

Sektori i aviacionit: Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, kanë ndaluar shitjen e pjesëve apo shërbimet për disa qindra avionë Boeing dhe Airbus që operojnë në Rusi. Kjo i ka detyruar linjat ajrore ruse të kufizojnë ndjeshëm fluturimet dhe të pakësojnë flotat e tyre.

Një ent rregullator i aviacionit të Bashkimit Evropian, deklaroi muajin e kaluar se ishte “shumë i shqetësuar” për sigurinë e këtyre avionëve perëndimorë në Rusi.

Le të imagjinohet sikur pavarësisht sanksioneve, Rusia të vazhdojë me sulmin e saj të përgjakshëm ndaj Ukrainës.

Po pastaj çfarë pritet të ndodhë? Për të menduar mbi problemet e mundshme të Putinit, mjafton të shihni një hartë. Nga sipërfaqja, Rusia është vendi më i madh në botë. Për të mbështetur luftën e tij të pamatur dhe të paligjshme në Ukrainë, Putini ka marrë forcat nga Lindja e Largët, Baltiku, dhe në rajonet që kufizohen me Azinë Jugore.

Ai drejton një vend që po shkon gradualisht drejt kolapsit, dhe ka shumë pak njerëz për ta mbrojtur. Putin po e luan me guxim lojën e tij. Por ai ka në dorë letra më pak të mira sesa mund të duket./Washington Post

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *