VV çon në Prokurorinë Speciale kontratën e ndriçimit në Prishtinë: “Të hetohen abuzimet”
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka bërë të ditur se së bashku me deputetin Ilir Kërçeli kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale kontratën për ndriçimin “Smart”, për të cilën pretendojnë se ka pasur parregullsi dhe se është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës.
Sveçla tha se dy kontrata për ndriçimin publik, të nënshkruara në korrik të vitit 2024 dhe në prill të vitit 2025, kanë dallime të mëdha në çmime për pozicione dhe punë të njëjta.
“Së bashku me Ilir Kërçelin, kemi dorëzuar në Prokurori kontratën për ndriçimin ‘Smart’, ku ne jemi të bindur se ka prova dhe fakte të mjaftueshme që bëhet fjalë për një kontratë abuzive, ku është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës”, deklaroi Sveçla.
Ai theksoi se dallimet në çmime ndërmjet dy kontratave i kanë shtyrë të shqyrtojnë më në detaje këtë çështje.
“Të gjeturat tona i kemi dorëzuar në Prokurorinë Speciale, andaj presim që të fillojnë hetimet për të gjeturat tona. Kërkojmë që personat përgjegjës të japin llogari”, shtoi ai.
Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, tha se në kontratën e dytë ka pozicione me çmime dukshëm më të larta sesa në kontratën e nënshkruar nëntë muaj më parë.
Sipas tij, disa pozicione që në kontratën e parë kushtonin 90 euro, në kontratën e dytë janë paraparë me çmim prej 300 eurosh, ndërsa pozicione të tjera kanë kaluar nga 50 në 250 euro.
Kërçeli kërkoi që Prokuroria t’i hetojë këto dallime, duke ngritur edhe dyshime lidhur me realizimin e punimeve të parapara në kontrata.
“Është shumë e rëndësishme që Prokuroria t’i hetojë këto kontrata, sepse Komuna e Prishtinës paraprakisht e ka pasur një llogaritje se sa mund të jenë çmimet në treg, pasi e ka nënshkruar kontratën e parë nëntë muaj para kontratës së madhe prej 10 milionë eurosh me një kompani tjetër. Ne kemi dyshime se kompania e parë ka përfunduar punimet në kryeqytet, mirëpo është faturuar kompania e cila ka fituar 10 milionë euro kontratën e ndriçimit ‘Smart’. Në të gjitha shtyllat në kryeqytet, ju mund të shihni se aty janë stikersat e kompanisë e cila ka fituar në tenderin e parë, mirëpo është përlyer një kontratë tjetër me 10 milionë euro”, deklaroi Kërçeli.
Në fund, ai iu referua edhe deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se, sipas tij, përgjegjësia për kryeqytetin duhet të përfshijë edhe evidentimin e parregullsive dhe kërkimin e llogarisë nga personat përgjegjës.
“Nëse nisemi nga këto deklarimet e kryetarit Rama, së pari duhet ta kemi dashurinë për kryeqytetin, dhe më pas t’i evidentojmë parregullsitë në kryeqytet dhe në fund të jetë përgjegjësia ndaj atyre personave që kanë kryer shkelje”, përfundoi Kërçeli.
Rruga Press

