Vuçiqi: Gabimi më i madh politik i Perëndimit, tanket për Ukrainën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vlerësuar se gabimi më i madh politik i Perëndimit ishte vendimi për dërgimin e tankeve në Ukrainë, “veçanërisht tankeve gjermane”.
Sipas tij, me këtë vendim, Perëndimi e bashkoi popullin rus si askush më herët në qëndrimin e tyre ndaj luftës në Ukrainë.
Kështu tha Vuçiq gjatë seancës së 3 shkurtit në Kuvendin e Serbisë, ku pritet të miratohet raporti i Qeverisë serbe lidhur me dialogun me Kosovën.
Më 25 janar, qeveria gjermane iu përgjigj thirrjeve të përsëritura të Kievit dhe miratoi dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, si dhe rieksportin e tyre nga vendet partnere.
Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se SHBA-ja do t’i dërgojë 31 tanke luftarake M1 Abrams në Ukrainë.
![](https://rrugapress.al/wp-content/uploads/2023/02/vucic-putin-2017.jpg)
Gjatë seancës, Vuçiqi tha gjithashtu se e respekton Rusinë, por nuk i shërben asaj, raporton rel.
“Unë e respektoj Rusinë, por nuk i shërbej Rusisë, i shërbej Serbisë”, tha Vuçiqi.
Serbia, aleate e Rusisë, ka refuzuar që t’i bashkohet shteteve perëndimore dhe Bashkimit Evropian, për t’i vendosur sanksione Moskës, për shkak të luftës ndaj Ukrainës.
Rruga Press