Lajme

Vritet një polic i Kosovës në veri, plagoset një tjetër

Një polic ka mbetur i vrarë si pasojë e sulmeve në fshatin Banjskë të Mitrovicës së Veriut. Një tjetër polic është plagosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook ka bërë të ditur se policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë rreth orës 3 të mëngjesit, ndërsa si pasojë e sulmit rreshteri policor A.B. ka mbetur i vdekur, kurse është plagosur një polic kufitar. Ai ka thënë se po vazhdojnë të shtënat me armë në këto momente. 

“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

Ai ka treguar se polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, ka shkruar Kurti.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Rruga Press

YouTube player