Bota

Votohet sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për një propozim-rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë. Debati për të pritet të nisë në orën 16:00.

Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende. Propozueset zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda.

Mbështetje shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, republika Sërpska. Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

Lexo më shumë  Aeroplani luftarak rus futet në hapësirën ajrore të Suedisë

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg. Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç. Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.

Serbia loboi kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e republikës Sërpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës.

Në dokument nuk përmendet as republika Sërpska, e as Serbia. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007. Gjykata konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Rruga Press

YouTube player