Von Cramon: S’ka asnjë arsye që liberalizimi i vizave të mos ndodhë menjëherë
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se nuk ka asnjë arsye që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të mos ndodhë menjëherë.
Kështu u deklarua ajo pas raportimit se është arritur kompromisi për vizat, i cili do të hyjë në fuqi më 1 nëntor 2023.
“Epo, pse vetëm nëntor 2023? Nuk ka asnjë arsye që të mos jepet menjëherë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ajo në Twitter.
Well, why only November 2023? There is no reason whatsoever not to grant #VisaLib immediately to Kosovo citizens. https://t.co/My48KNdSDw
— Viola von Cramon 🇺🇦🇪🇺 (@ViolavonCramon) November 10, 2022
Në grupin punues për vizat në Bashkimin Evropian është arritur kompromis të enjten që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të merret së shpejti, ndoshta edhe para fundit të këtij viti. Por hyrja e tij në fuqi do të caktohet për datën 1 nëntor të vitit 2023. Në vendim pritet të përfshihet edhe hyrja në fuqi e sistemit ETIAS.
Organet e Këshillit të BE-së pritet që në ditët në vijim të përmbyllet procedura që do të çojë deri te vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën, me synimin që të hyjë në fuqi prej 1 nëntorit të vitit 2023.
Rruga Press