Lajme

Von Cramon për njohjen e targave RKS nga Serbia: Hap drejt njohjes de facto

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka quajtur hap drejt njohjes de facto nga Serbia, njohjen e targave RKS. Ajo ka thënë se këtë e sheh si përparim të vogël në drejtimin e duhur.

Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, Von Cramon ka thënë se ndihet e turpëruar që qytetarët e Kosovës kanë pritur deri në vitin 2024 për liberalizimin e vizave, pasi sipas saj, kriteret ishin përmbushur qysh më 2018.

Cramon, që të premten nisi vizitën disaditore në Kosovë, ka takuar udhëheqës institucionesh e liderë opozitarë. Pas disa takimesh ka thënë se “niveli i pjekurisë së demokracisë nuk varet vetëm tek stabiliteti i qeverisjes, por edhe te të drejtat që opozita i gëzon”.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

“Në njërën anë është një gjë e mirë, ka një shumicë stabile në parlament, në anën tjetër, megjithatë niveli i pjekurisë së demokracisë nuk varet vetëm tek stabiliteti i qeverisjes por edhe të drejtat që opozita i gëzon dhe pastaj trajtimi se si ndërveprohet me opozitën dhe në këtë pikë do të thosha se gjerat do të mund të përmirësoheshin”, ka thënë ajo.

Sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia, ajo ka thënë se është e vështirë të parashikohet. Ajo ka thënë se duhet që të ketë presion të madh nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të sigurohet se ngjarje të tilla si Banjska të mos përsëriten dhe që Serbia t’i përmbushë zotimet në kuptimin e njohjes.

“Ajo çfarë duam të shohim dhe po punojmë në këtë drejtim, është pranimi i Marrëveshjes së Ohrit, dhe se qasja selektive që Serbia ka zgjedhur nuk është e pranueshme”, ka shtuar ajo.

YouTube player