KryesoreLajme

Inflacioni në Shqipëri/ Çmimet në shkurt u rriten më shpejt se mesatarja e BE-së

Inflacioni në Shqipëri i matur përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), metodologji e Eurostat arriti në 2,5% në muajin shkurt 2026, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT).  Kjo vlerë ishte më e lartë se mesatarja e BE-së ku inflacioni mesatar në shkurt ishte 2.1%.

Ky tregues shënoi një rritje të lehtë krahasuar me muajin paraardhës, ku çmimet e konsumit u rritën me 0,5% brenda një muaji. Rritja më e lartë vjetore u vërejt në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, i cili u shtrenjtua me 9,7%, duke pasur një ndikim të ndjeshëm prej 0,60 pikë përqindje në shifrën totale të inflacionit. Megjithatë, peshën kryesore në rritjen e çmimeve vazhdojnë ta mbajnë “Ushqimet dhe pijet joalkoolike”, të cilat edhe pse u rritën me 2,3%, dhanë kontributin më të madh në indeks me 0,81 pikë përqindje për shkak të peshës së tyre të lartë në shportën e konsumit.

Lexo më shumë  Kurti: Marrëveshja politike ka marrë ‘goditje të rëndë’, por nuk është zhvlerësuar

Grupe të tjera si “Kujdesi personal” me 3,3% dhe “Sigurimet” me 3,0% gjithashtu ndikuan në këtë trend rritës, ndërkohë që sektori i transportit mbeti pothuajse i pandryshuar me një rritje minimale prej 0,1%.

E krahasuar me vendet e tjera të Europës, Shqipëria pozicionohet në një nivel mesatar, duke qëndruar mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila për shkurtin 2026 u llogarit në 2,1%.

Shqipëria me 2,5% paraqitet me një normë inflacioni më të ulët se vende si Rumania, e cila kryeson listën me rritjen më të lartë të çmimeve në Evropë, e ndjekur nga Islanda, Sllovakia dhe Kroacia. Nga ana tjetër, vendi ynë ka një inflacion më të lartë se fuqitë e mëdha ekonomike si Gjermania, Franca dhe Italia, apo vende të tjera si Finlanda dhe Suedia. Nivelet më të ulëta të rritjes së çmimeve në Evropë për këtë periudhë u regjistruan në Danimarkë dhe Zvicër, të cilat mbyllin renditjen me normat më minimale të inflacionit.

Lexo më shumë  Situatë kritike nga zjarret në Mat dhe Bulqizë, flakët përfshinë disa stane gjatë natës

Ky botim i INSTAT shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm metodologjik, pasi që nga shkurti 2026, llogaritja e indeksit mbështetet në klasifikimin e ri ECOICOP 2018 dhe ka ndryshuar vitin bazë të referencës në 2025=100.

Ky ndryshim synon harmonizimin e plotë me praktikat statistikore evropiane të Eurostat, duke siguruar që matja e stabilitetit të çmimeve në Shqipëri të jetë e krahasueshme me standardet ndërkombëtare./ Monitor

Rruga Press

YouTube player