Lajme

(Video) TV zviceran publikon pamjet e gërmimeve në Lin: Këtu është zhvilluar bujqësia që më pas është zhvendosur në Itali dhe në të gjithë Evropën

Vendbanimi më i vjetër buzë liqenit në Evropë u gjet gjatë gërmimeve në liqenin e Ohrit në Lin të Pogradecit, në Shqipëri. Provat e para shkencore janë tashmë të disponueshme se Lini është ndërtuar midis 5800 dhe 5900 para Krishtit.

Kjo e bën atë rreth 2000 vjet më të vjetër se vendbanimet më të vjetra të njohura në Zvicër. Sipas studiuesve të përfshirë, ky është projekti më i madh arkeologjik në Evropë.

Rezultatet e gërmimeve mbi 4-vjeçare të arkeologëve shqiptarë dhe atyre nga Universiteti i Bernës kanë konfirmuar se vendbanimi palafit i Linit në Pogradec është më i vjetri në Europë, mbi 8500-vjeçar.

Albert Hafner, arkeolog nga Zvicra, tha se kemi të bëjmë me një vendbanim që zhvillonte bujqësinë 8 deri në 9 mijë vjet më parë, që më pas është përhapur në Itali dhe në të gjithë Europën. Ai thotë se ky vendbanim është rreth 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër.

Lexo më shumë  Mbahet për herë të parë në Kosovë tryeza rajonale për partneritetet publiko-private

“Njohuritë që kemi fituar në Zvicër do t’i zhvendosim këtu për të vijuar më tej me gërmime që të kemi më shumë të reja mbi vendbanimin më të vjetër në Evropë.

Ne duam të dimë datat e sakta të këtij vendbanimi. Këtu është zhvilluar bujqësia, që më pas është zhvendosur në Itali dhe në të gjithë Evropën”, shprehet arkeologu zviceran.

Për arkeologun shqiptar Adrian Anastasi, ky është jo vetëm një zbulim i madh, pasi edhe rezultatet e kanë konfirmuar.

Lexo më shumë  KEDS: Filloi instalimi i njehsorëve smart në veri

Ai shkon më tej kur thotë se të gjitha gjetjet mund të vendosen në Pogradec, apo edhe në forma digjitale në funksion të turizmit arkeologjik.

“Ky vendbanim rezulton të jetë më i vjetri në Evropë. Kjo është e lidhur edhe me ngritjen e disa pyetjeve për të ardhmen.

Pse këta njerëz vendosën të kalonin në vendbanime në breg të liqenit? Këto janë pjesë të studimit.

Ne, nga viti në vit, gjithmonë kemi rezultate, të cilat janë befasuese edhe për ne, siç është edhe rasti i këtij viti”, tha arkeologu shqiptar.

Rruga Press

YouTube player